Të dashur lexues duke ju falenderuar me shpirt për gjithë respektin tuaj që keni ndarë në veprat e mia ndër vite më lejoni të shpreh konsideratën time më të thellë për ju!
I nisur nga dëshira e madhe për krijimtarinë dhe vlerat e saj, prej shumë dekadash vazhdoj të shkruaj me pasion të madh duke përmbushur kështu ëndërrat dhe dëshirat e mia ndër vite.
Ky lloj profesioni më ka mundësuar të njihem më pasionant të shumtë të letërsisë, me përsonalitete të ndryshme nga bota akademike e shkencore.
Por e gjithë kjo punë është shoqëruar edhe përmes kritikave duke më bërë pjesë të vëmendjes së tyre.
Kritikën e kam dashur gjithmonë nga që ajo është baza themelore, e cila lidh në mënyrë të pashmangshme lexuesin me veprën e autorit.
Ajo ka si qëllim vlerësimin dhe gjykimin përmbajtësor të veprës duke ndihmuar dhe informuar lexuesin mbi atë që nuk është thënë në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga autori i veprës.
Si pasojë e botimeve të mia në libra, revista, gazeta e rrjete të shumta sociale, janë dhënë mendime e përshtypje individuale nga shumë poet, shkrimtarë e intelektualë të cilët më kanë vlerësuar me përshtypjet e tyre, si kundër të tjerë që më kanë gjykuar. Kritika si degë e veçantë e letërsisë ka një detyrë shumë fluide në dhënien e informacionit të një vepre letrare, ndaj ajo nuk duhet të jetë tendencioze ndaj shkrimtarëve e poetëve që nuk janë pjesë e monopoleve a lidhjeve të ndryshme nepotike a klienteliste.
Letërsinë nuk e bën kryeqyteti, as miku a pushteti, por e bën shkrimtari, poeti e artisti pa marrë parasysh shtresën shoqërore a gjendjen sociale të autorit.
Është e paimagjinueshme fakti se si një pjesë e atyre që merren me letërsi e arte të ndryshme të jenë kaq agresivë me njëri – tjetrin, të jenë kaq xhelozë e të ndarë deri në skajshmëri.
E them këtë nga që në mjaftë raste kam lexuar komente me përmbajtje urrejtjeje përfshi dhe mua. Nuk mund ta imagjinoj gjuhën dhe revoltën e tyre, e kjo vetëm për faktin se ajo çka ne i sjellim lexuesit nuk përputhet me dëshirat dhe shijen e tyre.
I ndodhur në rrethana të tilla s’mund të them se nuk jam shqetësuar për atë çka është shkruar për mua, por kjo nuk më ka penguar të shkruaj e ti afroj lexuesit atë çka unë e kam menduar si të arsyeshme dhe progresive.
Unë s’mund të them se një poet a shkrimtar duhet të lavdërohet vazhdimisht nga kritika letrare, por ajo duhet të ndërtohet mbi baza profesionale e shkencore, larg gjykimeve e tendencave ngaqë, sado që ajo të vihet në mbrojtje të një autori se shpëton dot veprën e tij.
Kritika letrare është mjaftë e dobishme dhe shërben si urë lidhëse ndërmjet veprës, shkrimtarit dhe lexuesit. Atë e gjejmë të pranishme që në veprat më të hershme të letërsisë shqipe, por s’mund të them se ajo nuk ka vend për t’u përmirësuar, e për të qënë më e drejtë sidomos ndaj shkrimtarëve e poetëve të rinj të cilët duan edhe ata vendin e tyre në altarin e letërsisë shqipe.
