Për një kohë tjetër…Ukshin Morina


Mbi dritën e një rreze dielli shtrihet jeta ime,

si një lis, që më duhej ta mbaja për një kohë tjetër,

Kjo dritë e fikur në retinën e syve më përkulet në formën e një

harku,prej ku shigjetë e fatit më shpon zemrën.

Eshtrat e mia nën lirishtën e zallit hallakaten nëpër rrëpira,

ku gjethet e luleve përkunden nëpër lëndina.

Eshtra, rrënjë, lis e gurë ngjishen pas këtij lëmçi të vdekur

duke zënë vend nga skremitja e kafkave të mbledhura brënda një

kohe qindra vjeçare.

Kjo rreze e beftë mes këtij verbimi të harlisur, që ngadalë leviz

në drithijen e përmotshme, ka aromën e pjekur të kohës

sime e cila ngjitet nga vegime të brishta si një limfë.

Koha ime i njeh vitet mbi të cilat u përplasën ditët e mia mbi shumë

fjalë të mbetura pas çdo rrahje të zemrës.

Dielli derdhet mbi trungje pemësh, mblidhet e davaritet si valë në

dete, bie në përgjumje nga ana ime dhe hesht.

Dhe kjo është koha ime, drita e një rreze që përthyhet si harku i një

lastari të rritur në sgripin e një krateri kockash.

Qielli im, në kuben e yjeve rri varur, sakaq në kafkën time ndizen

yjet e gjithë jetës së shkuar dhe digjen në gjumin e thellë.

Rrezja ime e rrahur prej erës vërshon tutje duke ndritur ëndrrat e

pafundme, që me to mbusha një mal dëshirash të pagjetura për

shumë aposionant të kërkimeve.

Ti dhembje a trishtim i shkuar, eja këtu mbi një qendër meteori

dhe bëhu dekor i syve të mi!

Eja me dhembjet e atyre që kanë mbaruar së ngrëni hënën e vjetër,

I vetëm s’jam me idhujt e mi nën coprat e lisit, rroj bashkë

me gjethet e vjeshtës që bien mbi kalldrëmin e shkelur të dheut tim.

Këtu mund të shoh gjithçka të mbetur jashtë kohës sime,edhe fluturimet

e gjata të zogjve të stampuara

në muzgun e përgjumur të horizontit larg.

Arrij të dëgjoj, të prek e të shoh, të ndiej e të nuhas dhe aromën

e qindra vjetëve që lëviz sipas rregullit të vdekjes, brenda retinës së

verbër që loton në stalagmitet e shpellës në krahëror,

apo lart në yllin “Kanopus” mbi gurë, ku shiu i meteorëve s’ka të ndalur.

Arrij ta dëgjoj dhe fjalën e mbetur në përvijimin e lëvisjes së vdekjes

dhe bashkë me ta, të këndoj për dashuritë e mbetura në shpërthimin

e pranverës,

Arrij të rëndi fushave sërish dhe të kthehem në djenë dhe pardjen e

shkuar, vjetin dhe parvjetin e harruar, atje ku era i ka shpën’ në hone

hijesh tjetërkund e tjetërsoj.