Zymer Mehani
Për ty, motër Doruntinë
I
Emrin Konstandin
Ma thotë populli im
Do ta mbaj një besë
Dhe nëse do t’vdesë
Nga rrasa e varrit
Do t’i hipi kalit
-T’kam premtuar motër
Se do t’kthej në votër
Varri nuk më treti
Se mbet amaneti:
-Te nëna t’dërgoj
Dhe do t’fluturoj
II
Loti Yt m’rëndon
N’zemër sa Planeti
Yti lot m’peshon
N’shpirtin tim sa deti
Loti Yt, vërtet
Porsi plumb më vret
Nëse t’shoh me lot
S’mund të duroj dot
III
Loti Yt m’shëmbëllen
Në vesë trëndafili
Jotja fjalë- e ëmbël
Porsi këngë bilbili
Të kam, Doruntinë
Gjerdan n’vargun tim
IV
S’e di fare
Se ku gjendesh
Përtej malesh
Përtej detesh
Pas nëntë kreshtash
Pas nëntë bjeshkësh
Pas nëntë drizash
Nëntë murrizash
Nëntë zabelesh
Nëntë borigash
Përtej vapës
Dhe shtrëngatës
Përtej ditës
Përtej natës
V
Përtej nëntë lumenjsh të shkretë
Po rend, motër Ty për t’ gjetë
Përtej nëntë lumenjsh të mjerë
Ku s’ka dritë, është veç skëterrë
Njëqind vjet të thellë
Njëqind vjet të gjerë
Xhanin seç ma këpute
Ah, motër e mjerë!
