PËR TY…QË TË DUA!


VIOLETA KADRIU

Lule më lule

do të gjuetoj,

aromën tënde

ta shijoj,

edhe nëse nga xhelozia

më pickojnë bletët,

edhe nëse më zënë pritë

e më pengojnë fletët,

edhe nëse gjembat e Trëndafilit

pa mëshirë do më therrin,

nga zemra ime

jo, kurrë s’ mund të t’ nxjerrin!

Do bëhem për TY

më e shpejta flutur,

kanarinë, bilbil,

fazani më i bukur,

do ua këpus e vjedh rrezet

Diellit, Yjeve, Hanës,

do ia kaloj për Ty bukurisë

edhe të vet Zanës!

Për Ty do të bëhem

më i ëmbli musht,

që në degë hardhie piqet

e shijon në gusht,

do besatohem me njomështinë e drenushës

e butësinë e drerit,

do marrë fuqinë e vrikun

e krahëve t’ skifterit!

Për Ty që më ndez zemrën

si kamin unikat,

që më zgjon e m’ kënaq trup e shpirt

kur t’kam larg e ngat,

Ty, që për mua

je margaritar më i rrallë,

Për Ty, që do të t’ dua

gjerësa t’ jem gjallë!

Mespërmes not

do i bie detit,

për Ty do ia marr Kurorën

edhe vet Mbretit!

About Post Author