“Perandori” i gazetarisë ushtarake-Nga Enver Cakaj


      

Nga Enver Cakaj

           Sa herë ngrihem në mëngjes i  bëj pyetje vetes: Është apo s’është më Andon Kote? Unë e di që ai është ndarë nga jeta atje larg në Amerikë prej vitesh,po  përse nuk më besohet e pyes veten? E bëj këtë pyetje sepse në raftin e librave kam edhe disa nga librat e tij,që ma shuanin mallin për mikun tim të hershëm.Shoqëria jonë kishte nisur që në vitin 1962.Unë isha ushtar e Andoni shef redaksie në gazetën  “Luftëtari.” Nuk e harroj dot atë njeri,se në atë gazetë nisa udhën e gazetarisë.Atëherë i kam dërguar një poezi,që nuk ishte e arrirë dhe me të drejtë Andoni më bënte vërejtje,por dhe më inkurajonte. E dija që nuk isha i zoti për poezi dhe e nisa me prozë.Nuk e harroj reportazhin e parë,që u botua në datën 3 shtator të vitit 1962.Kjo gazetë më lidhi me shumë gazetarë ushtarakë,por unë nuk i  shkëputa lidhjet me Andon Koten,një burrë eshtak,fytyrëqeshur dhe shumë aktiv,që atëherë e quanin “Perandori i gazetarisë ushtarake.”  Edhe pse u lirova,nuk i shkëputëm letrat dhe e ruajtëm shoqërinë derisa ai vdiq në tokën e huaj. I përmalluar nga shkëputja me shokët,Andoni e ruajti shoqërinë me të gjithë shokët që la në Shqipëri përmes korrespondencës.Edhe unë sa herë e ndjej mungesën e tij,shfletoj librat e tij dhe më duket sikur bashkëbisedoj me të.

          Unë nuk e dija që ai djalosh nga Përmeti  kishte lindur në hijen e një gorrice,ku punonte. Punonin arat e Hasan Beut,i cili kishte dhënë urdhër,që atë ditë të mos mungonte asnjë në punë.Kristulla nuk kishte dëgjuar as të vjehrrën,që e porositi të mos shkontenë punë atë ditë.Por atë drekë,në mes të vapës,tek  korrte grurë,e zunë dhimbjet.Detyrën e mamisë e bëri e kunata,e cila ia preu kërthizën foshnjes me drapër.Këto kushte ishin në vitin 1927.Në ato kushte djali nuk mori asnjë infeksion.Në këtë mjedis lindi dhe u rrit ai djalë me emrin Andon Kote.Djali I varfër po hidhte shtat dhe familja e dërgoi në vlorë,ku punonte si shegert në një restorant.Atje u lidh me njësitin gueril,që e kishin krijuar revolucionarët Banush Goxhi,Arif Haskua,Rrahman Përllaku,Et’hem Gjinushi,Teli Ndini,Delo Balili,Hito Çako,ku Andoni kryente detyrën e ndërlidhësit.Kur e panë atë djalë aq aktiv e revolucionar,ata urdhëruan që të shkonte në Përmet dhe të delte malit si ilegal.Atje vepronte një çetë,komisar i së cilës ishte Minella Bulka.Andoni vajti i kërkoi ta pajiste me pushkë,por ai i kishte përmendur këto vargje:

                      Në mos kini armë gjeni,

                      Ja rrëmbeni atij qeni.

          Atje,ne betejat luftarake u armatos dhe Andoni.Ishte partizani më i vogël i Brigadës së Parë Sulmuese,kur u rreshtuan në fushën e bukur të Makrëzës. Lufta e kaliti,por dhe e sëmuri rëndë në maj të vitit 1944 nga një pleurit. Temperatura i shkonte deri 40 gradë. Komandanti i Batalionit të Parë, ku bënte pjesë,i dhan ca ditë lejë sa të merrte veten,por pleuriti donte mjekime intensive.Me  pak mjekime mundi të kthehej sërish në luftë.Por pleuriti nuk ishte zhdukur dhe iu shfaq kur Brigada kaloi  malet e Letmit dhe Shenebikun. Dëbora ishte e rëndë,por më e rëndë u bë ai pleurit në trupin e Andonit.Pranë shtëpisë së tij në Përmet ndodhej mjeku Musa Ohri,por ku kishte mjekime. Përmeti ishte djegur i tëri. Nëna dhe motra,vunë në përdorim mjekimet popullore. Sa i vinin mbi ballin e nxehtë një leckë të qullur në uthull,ajo thahej si t’i kishin vënë zjarrin. Ato ditë ndodhej në Përmet edhe Dhori Panariti me Tuk Jakovën,drejtuesë të formacioneve të Brigadës,të cilët do të merrnin pjesë në Kongresin e Përmetit.I shkuanë në shtëpi dhe u interesuan për shëndetin e tij, i lanë porosi nënës,që po të mos ndryshonte gjendja ta shpinin në spitalin partizan të Zagories.

          Kaluan ditë,por gjendja e tij vinte duke u rënduar.I vëllai,Llukani e mori Andonin dhe e shpuri në spitalin e Zagories dhe më pas në Leshicë.Nga ato spitale i mbetën në kujtesë shokët e plagosur , Shehri Baboçi,të motrën,Arifenë,kushurirën e tyre Hamide Baboçin, Dalan Shapllon, Mesarete Karagjozi,Myfit Dudushin,mjekun aq aktiv,Emil Qirkon,Fejzo Binon,që kur u plagos në Qafën e Kiçokut,Andoni e hodhi mbi supe dhe e shpuri në fshatin Arrëz.Kur arriti në fshat,pas dy orësh,rrobat e Andonit kullonin gjak! Ishte gjaku i shokut të tij. Andoni doli nga spitali dhe u nis për në front.Brigada ishte inkuadruar në Divizionin e Parë dhe ndodheshin në Qafën e Gjarpërit,mes kufirit që ndan ose bashkon Korçën me Skraparin.Në atë qafë djemtë e nënave nuk e kursyen jetën.Tok me ta edhe Xheladin Beqiri (Karadaku) ish- Komandant i Batalionit,ku militonte Andoni.Atje e fshiku plumbi edhe Andon Koten.Në atë qafë Andoni u ul dhe shkroi elegjinë më të bukur për Karadakun,që e mbyllte me këto vargje:

 Re si bien shqiptarët,                                                                             Karadak,vëlla,

 Gjaku yt,melhem për plagët,

 Hallet e mëdha!

          Lufta vu e sëmundja  vu,por Andoni s’luan nga pozicioni luftarak.Si e duroi atë tëmperaturë e dhimbje? Mushkëritë nuk funksiononin.Pas çlirimit ato u përkeqësuan.Brodhi spitaleve siç luftoi betejave. Mjekët e famshëm Kalmari e Shiroka i filluan plematoraksin duke i hequr dy të tretat e mushkërisë së djathtë.Andoni mbeti shtretërve të spitaleve.I vinte inat kur shikonte shokët e luftës,që lanë pushkët nëpër armatura dhe rrëmbyen kazmat për të rindërtuar vendin.Ai e shikonte jetën nga dritaret e spitaleve. Doktor Shezai Agalliu i qëndronte të koka e i  thoshte:”Andon,ha se të hëngri!” Por atij i  ishte prerë oreksi.Edhe kohët ishin të vështira e nuk gjeje  ato ushqime që i duheshin një të sëmuri.Lufta për shërimin e plagëve të luftës vazhdonte,Andoni ishte në krah të kundërt.Sëmundja e kishte mënjanuar.Në vitin 1946 u krijua Shoqata e Invalidëve të Luftës. Andoni,që e kishte lënë një pjesë të gjakut nëpër beteja ishte anëtar i saj.Me ndërmjetësimin e shoqatës,e dërguan në sanatoriumin e Malit Tatra të Çekosllavakisë për mjekime.Atje gjeti shërim të plotë dhe iu rikthye punës..Atëherë Andoni shkroi  himnin e invalidit të luftësnga i cili po përmendim vetëm dy vargje:

                                                                           Nëse prap’ Atdheu,do japë kushtrime,

                                                                           Invalidët trima,sërisht në luftime.

         Largimi nga ushtria më ndau për një kohë me mikun tim të vjetër Andon Kote.Unë nëpër spitale,ai nëpër repartet ushtarake,ku shkruante ato shkrime aq të bukura.Por një ditë ai erdhi krejt befas në Skrapar.Atëherë unë isha marrë me figurën e  të verbërit Fuat Çela,që ngriti në këmbë gjithë Shqipërinë. Ishte një takim i papritur dhe dhe të dy u ngjitëm në Vërzhezhë,ku do të shkruante pikërisht për personazhin tim.Gjithë atë malore e ngjitëm në kambë dhe pa ndaluar gjëkundi.Domosdo që e prita mikun siç dinë të presin skraparasit miqtë e nderuar.Fakti që unë vazhdoja nëpër spitale,na humbën lidhjet. Andoni e kishte lënë gazetarinë dhe ishte bërë shef në Ministrinë e Mbrojtjes.Aty kishin nisur peripecitë e tij,të cilat e shpunë  deri në burg.Kishte ndryshuar sistemi dhe unë shkova në Tiranë për të krijuar shoqatën “Riza Cerova.”,ku gjeta dhe Andonin.E lamë të takoheshim pas mbledhjes,por atë dikush e kërkoi dhe nuk mundëm të pinim një kafe. Kur erdha në Skrapar unë gjeta këtë letër,që më dërgonte:

                                                             I dashuri Enver!

         Edhe një herë që erdhe në shteg,mua më thirrën dhe nuk pata mundësi të pinim një kafe bashkë.Shoqërinë tonë e kemi mbi 20-vjeçare,kur ti më dërgoje ato shkrime dhe poezi aq të bukura,që dëshmonin për një talent të mëvonshëm,kaq të bujshëm,sa që do të ja kaloje edhe shef Andonit,që ushtarët dhe kuadrot e ushtrisë popullore e quanin “Perandor të gazetës “Luftëtari.” A të kujtohet? Por ashtu si rrokulliseshin perandorët e vertetë,ashtu u rrukullisa dhe unë për ca kohë.Unë kam biseduar me shokë që të njohin mirë,si ty ashtu dhe mua,dhe të falënderoj shpirtërisht për konsideratën që ke patur dhe ke ndaj meje. Të njëjtat ndjenja ruaj dhe unë për ty jo vetëm tani,por edhe para hetuesëve shpirtkazmë kur më pyesnin: “Ç’lidhje ke ti me Enver Cakën nga Skrapari?!” Nejse ato kohëra shkuan e vanë.Por unë të them të vërtetën,jam prekur në shpirt kur mësova se i ke parë dhe ti qelitë e burgut,megjithëse pak ditë,tani në ditët e ashtuquajtura “demokratike’. Të shkuara e të harruara.

          Kam ndjekur mevëmendje aktivitetin tënd gazetaresk,nuk më kanë shpëtuar pa i lexuar shkrimet  e tua dhe i kam thënë Fiqiri Voglit,kur kishe shkruar për Tendën e Qypit,ja,të tillë shkrime i duhen gazetës “Kushtrim Brezash”.Pastaj i kam thënë,se shkrimet e Enver Cakës i kam redaktuar e botuar unë.Kam marrë vesh se nuk je mirë me shëndet.Të uroj nga zemra shërim të shpejtë.Të fala dhe urime për vitin 1994.Andon Kote.                                                                                   

         Por më ka dhimbur shpirti kur lexova në librin e tij “Rreth flamurit të përbashkuar” këto fraza: “Dikur patëm dëgjuar kujtimet e një kurbetliu të moshuar dhe u ka mbetur në mendje fjala: “Të shkosh në mërgim do të thotë të vdesësh.”Mos vallë dhe ata kanë ardhur këtu për të vdekur?! Por jo! Njeriu nuk mund ta pranojë vdekjen në dhera të huaja.”

              Andoni nuk donte të vdiste në Amerikë,por këtë nuk e shmangu dot.Ai nisi të rëndohej nga shëndeti dhe mjekët nuk e lejuan të udhëtonte drejt Shqipërisë me avion.Andoni kishte shprehur dëshirën të kthehej përgjithmonë në vendlindje,por nuk arriti të vinte.Që andej nga Florida e bukur më ka dërguar këtë poezi:

                                        Tani u plaka dhe po pushoj,

                                        Nëpër Floridën plot shkëlqim,

                                        Por natë e ditë për ty mendoj,

                                        O Shqipëri,o shpirti im.

                                        Më thotë djali megjithë nuse:

                                        Po rri këtu,more baba,

                                        Do përterihesh si një burbuqe,

                                        Se mjaft jetove si fukara!

                                        Por mua vendi nuk më mban,

                                        Tek ty,Atdhe dua të vdes,                         

                                        Se balta e huaj është e qullët

                                        Dhe zemrën dot s’ma tret…

           Andoni e vazhdon rrëfimin në fund të poezisë: “Amerika më dukej e bukur,e qetë e madhështore kur e shikoja në ekranet televizive,siç u duket deti marinarëve nga bregu, po kur futen brenda  dhe ndeshen me dallgët dhe të papriturat e tij,nxjerrin zorrët nga të vjellat. Siç e di,nga 72-vjetët që po mbush,47 i kam kaluar në sektorin e gazetarisë,prandaj dhe nuk mund të rri dot pa shkruar.Kështu shplodh dhe kënaq shpirtin tim të brengosur nga mërgimi.”

          Na iku Andoni,na iku një njeri i mirë,një shok i vërtetë,një mik i rrallë.Nuk erdhi dot të vdiste në duart e sinqerta të shokëve pa numër.Mbeti atje, në qytetin Fort Lauderdale të Floridës së largët të Amerikës.Nuk besoj t’i jetë tretur trupi atij njeriu,që përgjërohej,se nuk donte të vdiste në tokën e huaj.Ku ta dish,ndonjë ditë do të kujtohen familjarët e tij dhe t’i sjellin eshtrat në vendlindje,ku të kemi mundësi t’i vëmë dy lule Përmeti mbi varr.Pa i vënë ato lule mbi varrin e tij,që tani i mungojnë,Andon Kote do të mbetet ashtu siç është varrosur! Të ndrit shpirti,o miku ynë i pahharruar,o “Perandori” i shtypit ushtarak!