Perlat e mençurisë popullore:fjalët e urta-Angela Kosta


Perlat e mençurisë popullore: fjalët e urta. Fjalët e urta popullore kanë një origjinë shumë të hershme. Krijuesi i proverbave siç i quajmë ndryshe, është vetë populli, i cili me mençurinë e tij, la brez pas brezi kuptimin e mirëfilltë të fjalëve të urta. Këto proverba i përkasin dhe i përshtaten çdo aspekti të jetës së përditshme: problemeve, halleve, gëzimeve, punës, familjes, shoqërisë, miqësisë etjer. Trashëgimia e këtyre proverbave, tregon vlefshmërinë dhe aftësinë e përdorimit në një gamë shumë të gjerë nga profesionistë, intelektualë dhe njerëz fare të thjeshtë, të cilët u japin prioritet zbërthimit kuptimor të këtyre proverbave, perla të pjekurisë së vetë njerëzve fare të thjeshtë, por me virtyte të larta e të çmuara. Kjo spikat pikërisht në domethënien e fjalëve të urta. Po sjellim si shembull: “Tjetrit mos i shiko gunën, por shikoji punën.” Në këtë fjalë të urtë, populli tregon se cilësia më e madhe që i jep vlerësimin e duhur njeriut është puna dhe jo aspekti i jashtëm fizik. Mund të përmendim një tjetër proverb: “Punën e sotme mos e lër për nesër.” Këtu krijuesi i mençur popull, i jep vlerat e çmuara “kohës” të cilën nevojitet ta përdorim në përmasat e duhura. “Fjalën e dhënë mos e kthe mbrapsht”, një tjetër proverb me shumë kualitet. Në këtë fjalë të urtë, populli i bën “thirrje” ndërgjegjes së njeriut, me karakter të fortë, se pakti i vulosur miqësisht nuk duhet të shpërbëhet. Fjalët e urta popullore janë me mijëra dhe nuk do të mjaftonin ditë e netë të tëra për t’i përshkruar ato. Shumë proverba të ngjashme me të tonat, i hasim edhe në mjaft vende të ndryshme të botës. Kjo tregon përcjellshmërinë e rrënjëve të zgjuarsisë së popullit ndër shekuj.

(Angela Kosta)