Perlë ky shpirti im-Teuta Shaqiraj


Perlë ky shpirti im

Pse ndrydhesh o shpirti im
strukur e mbledhur brenda kraharorit?
Frika si guackë të mbron prej meje
mbi shtratin ranor,mbi dunat e trazimit.
Baticën ndjek e kridhesh me ëndje
pas saj si fëmijë me përkëdhelje.

Pse je mpleksur e shpleksur
në lakutëri’ leshterikësh?
Deti u qetua me bregun,
si dy miq të vjetër.
Valëdeti shkumëzon në pritje
si verë e sapoderdhur,
Dehu pra dhe ti moj perla ime,
dhe end sërish me mua
përmbi valë vargjesh dashuruar.