Përparim  Hysi-“Horoskopi” i një burri të zgjuar



                    (tregim)

Nga Përparim  Hysi

  Sot pashë ca fëmijë që i binin njëri-tjetrit me gurë. Dhe befas,m’u bë imazhi i një burri të zgjuar që e kam njohur këtu e 60-vjet të shkuara. 60-vjet,por më bëhet sikur është këtu pranë meje,ku dy treshe fëmijësh qëllojnë njëri-tjetrin me gurë. Me gurë:bëjnë sherr kushedi për ç’arsye(veç fëminore dhe aq),por nuk  mbaron me kaq rrëfimi im.
                                   *     *     *
Kisha 5-vjet në arsim dhe gjithmonë larg shtëpisë. Në fillim,25 km larg dhe,pas 5-vjetësh (kushedi kush u “kollë” për biografinë time),ma dyfishuan largësinë:mbi 50-km. Sado kaq larg,duhet të shkoje si “ÇEUA”,se ndryshe kish dhe më keq.Ndonjëherë mendoja:keq e më keq e mu në dreq! Por nevoja thonë që të çon dhe në derë të hasmit dhe jo të qeverisë,që,siç thoshte babaxhani,MYRTE BUZI:”Qeveria as frikë dhe as turp nuk ka”.Kështu që,kur erdhi shtatori u nisa atje,larg.Larg e larg,mërguar,kur i thonë saj këngës. U  paraqita atje dhe,ngaqë isha jabanxhi,kryetari i këshillit të të fshatit më jepte një nxënës si korrier që të më tregonte se tek cila shtëpi do strehohesha atë natë. Më kujtohet (qe nata e dytë e “strehimit”) që këtë natën e dytë do ta kaloja goxha larg nga shkolla. Në një terren goxha të thyer, përmjet një rruge dhish,pasi zbritëm nga një kodër që nuk ishte aq e”butë”,më së fundi,do ngjitja dhe një malore pak më të”ashpër” dhe,kur korrieri lajmëroi se po vinte si mysafir një mësues, dha ballë i zoti i shtëpisë që pa më lënë aspak vetëm,u lëshua drejt meje jo duke më dhënë doërën,por me duarët në qafë,sikur mezi  po e priste një mysafir si unë.
Natyrshëm, që jo vetëm u ndjeva mirë dhe harrova mllefin që kisha për ata që më dërguan kaq larg.
-Po mirëse erdhe,or mik,- buçiti zëri i atij njeriu aq të mirë që kish moshën e timeti. Çapita,pas tij dhe,kur hyra, pashë dy shilte apo më më mirë:dy poste karshi njëra-tjetrës pranë oxhakut. U ula dhe i zoti i shtëpisë,filloi nga pyetjet:
-Nga të kemi dhe mirëse ke ardhur në këtë konakun e xha HAMZOS!
I tregova se nga prindërit  jam skraparli dhe banoj në MBROSTAR-URA të FIERIT.
Ama skraparli je,po thuaj që je nga MALLAKASTRA? Ngjajmë,or mik,ngjajmë: të varfër,por bujarë si  ne nuk gjen kund,- tha.
Ndërkaq, u shtrua sofra për mikun: në fillim pak gjizë,qepë,hudhra (këto qenë sa për”nxemje” dhe unë e dija,se kështu ndodh dhe në Skrapar.Pse kot tha që ngjajmë?).Pas”nxemjes” erdhi një zog i  skuqur dhe,ngaqë isha skraparli, i puqëm gotat. Jo vetëm i puqëm, por filluam dhe me shëndete.  Me shëndete, por unë i ri, i”pastërvitur” me këto shëndetet e të zotit të shtëpisë,sikur po bëhesha gati t’ia merrja një kënge,aq qeshqek e ndieja veten. Aty,nga mezi i”gostisë”, si pa teklif, më bëri një pyetje:-Ore dhaskal,- më tha,- si me shkollë që je,si e sheh këtë”qen-jallane”? Po të flisje pëer”qenjjalanen”,qe pyetje pak me spec, se e kish avazin pas si “qemaniae NASTRADINIT”.Por qe pyetje që nuk kish aspak ngjyrim të keq,as qëllim të keq: veç kuriozitet se gjasme unë,me shkollë dhe i “kënduar”,siç më tha ai,do qëlloja drejt  dhe atje ku donte ai. Sado  që qeshë pak  çakërqejf, e  dhashë përgjigjen ashtu pak si me llustër:me demek edhe të ruajë veten,por dhe të kënaqë atë që më pyeti.
Sa mbarova unë,foli:- Dhaskal ,më duket se më more prej dore e më çove atje,në shkollë. U skuqa paksa, por ai për të më hequr sëkëlldinë e përgjigjes sime si:as mish dhe as peshk,më thotë:”Digjo këtë ÇIÇON këtu dhe të ma vësh si vëth në vesh!”
– Që ta marrësh vesh,or dhaskal  me gjak  nga SKRAPARI,mua ma thonë emrin HAMZO BRAHIMI dhe unë  se ç’ndodhë rreth e qark,deri në qeveri,e shoh me fëmijët.
-Si me fëmijët?-pyeta
Ja,me fëmijët dhe nuk e luan topi.
-Ore,xha HAMZO,me fëmijët merrem unë,se për këtë kamë bërë shkolllë.
Aha,- shpotiti,- shkollë për t’u mësuar abetaren? Ti për “abetaren”,unë kam shkollën e jetës.
Po hë,mor xha HAMZO, si e “lexon” politikën me fëmijët?
Shiko,- më tha,- nëse fëmijët zënë e qëllojnë njëri-tjetrin me gur, afër është lufta. Nëse rrinë tek dera e dollapit dhe,sado që copën e bukës e kanë në dorë dhe prapë kërkojnë bukë, së afërmi ka uri. Nëse rrinë mbi libra,kemi paqe. Unë,ngaqë më zuri sidroma e atij plaku aq të zgjuar,sado që nuk mbaj dot të qeshurit,i them:- Po çfarë thonë ato “bathët tuaja”,o xha HAMZO?
Ai:- E ke parë? I bien njëri-tjetrit me gur dhe mu tek dera e dollapit:-Duam bukë. Lufta dhe uria janë afër dhe,sa tha kështu,ia dha një të qeshuri të patëkeq.
                                                  *     *   *
Këtë “leksion” e mora para 60-vjetësh dhe,kur pashë ata fëmijët që sulmonin me gurë njëri-tjetrin,m’u ringjall ai,plak aq i zgjuar nga MALLAKSTRA që “të vriste me pambuk”, E kujtoj me shumë mall dhe paqe atje ku prehet, Ndoshta,ndonjë nga trashgimtarët e lexon këtë shkrim si shenjë mirënjohje nga ai dhaskali që kaloi një natë në shtëpinë e një NJERIU aq të mirë e të zgjuar,që quhej HAMZO BRAHIMI!

About Post Author