Përparim Hysi-“Hotel-Restorant me 5-yje”     Për Ismet Dhe  Protoko Sulçen               (Tregim)


Nga  Përparim    Hysi

      Aty mesviteve ’50-të të Shekulit XX-të ISMET SULÇE u martua me PROTOKO HYSIN. PROTOKOJA apo siç thirret nga të gjithë ata që e njohin KOKOJA,është motra ime e madhe. Tani ajo është 84 vjeç dhe ISMETI(i shoqi i saj),mjerisht është ndarë nga jeta në vitin 2005. Jetuan bashkë 50-vjet dhe kanë 4-çuna,që të gjithë të mbarë jo vetëm për prindërit,por të mbarë e të gjendur për miq e për shokë. I madhi,AGIMI,ka familjen e tij: vajzën,ELDA,që ka mbaruar për psikologji në një Universitet ITALIAN dhe punon në një nga shkollat në TIRANË dhe djalin,MALDIN që ka mbaruar për jurist. Jurist  është dhe vetë AGIMI. Djemtë e tjerë,BUJARI një kuzhinier mjeshtër dhe me emër në Tiranë në vitet  80-të,kurse dy më të vegjlit:Eduardi dhe ILIRI qysh se erdh demokracia janë në emigrim: në Angli dhe ITALI.
                                       *      *     *
E di që do çuditeni me këtë shkrimin tim. Si është e mundur,që bën këtë shkrim për motrën tënde dhe për kunatin tënd? Marr mbi vete gjithë karshillëket apo poplat që mund të vërvisni në adresën time. Kur të lexoni,vetëm se ç’kanë  bërë këta si familje,kini  për t’u habitur. Dhe,nëse unë  po shkruaj këtë tregim,jo vetëm jam i drejtpërdrejtë,por,prapë se prapë, më rëndon ndroja: vallë, do jem në gjendje që të bëj sadopak portretin moral të tyre?  Në vazhdoni ende me kërshërinë torturuese që”pse ti,vëllai i KOKOS dhe kunati i  ISMETIT,zë e shkruan për ta, atëherë do  ju përgjigjem: se unë, në radhë të parë, kam ngrënë e kam pirë “qelepir” në këtë restorant dhe jo vetëm kaq: kam fjetur,sa nuk numërohen, në këtë”hotel”, pa paguar një kacidhe. Shtysën për të shkruar për të ndjerin,kunatin tim dhe motrën time që nuk ka shoqe,ma ka dhënë shkrimtari i madh PORTOGEZ,FERNADO PESSOA. Ky thotë diku:” Nuk pashë gjëkund ndonjë KRISHT apo  BUD’H që të qajë për mua”. Nga të mençmit ke se ç’mëson dhe,më mirë vonë se sa kurrë, në”vija të trasha” do të tregojë për jetën e tyre si çift dhe se ç’bën ata në jetë. Se,sa për kërshërinë e lexuesëve,unë kam shkruar ese dhe poezi për qindra shkrimtarë,poetë,artistë dhe njerëz të ndryshëm dhe,deri më sot,askush nuk ka shkruar qoftë dhe një fjalë  për mua.Kam dhe një arsye tjetër që e bëj këtë shkrim: në  këtë” Restorant dhe hotel me 5-yje që ngritën ISMET dhe PROTOKO SULÇE kanë ngrënë e kanë pirë dhe kanë fjetur”qelepir” me dhjetra njerëz,brenda dhe jashtë fisit dhe,kur vjen puna,tani që ajo KOKOJA që të priste me duar në qafë është moshuar dhe mplakur,askush nga” qelepirxhinjtë e dikurshëm” nuk kujtohet ta pyes për shëndetin;ta marrë në telefon për një sebep dhe kjo  e vret më shumë time motër:mosmirënjohja. Sa mirë e ka lënë me shkrim Imanuel KANTI:- Mosmirënjohja është më e liga e poshtërsive”.
                                                 *      *     *
Mirë pra:ju lutem më ndiqni. Aty nga viti 1955 ISMET SULÇES iu dha për banim një dhomë e kuzhinë në një nga bodrumet e pallateve”Agimi”. Fiksoheni: një dhomë e kuzhinë. Dhe kjo dhomë e kuzhinë u kthye edhe në”restorant”,por dhe në hotel”.Sado me fëmijë dhe sado ngusht,ne,të farefisit,sikur qoftë një ditë nuk i lamë rehat. Kush për mall e kush për hall:drejt dhe tek ai bodrumi ( më duket qe tek shkalla-9) dhe,sikur kishim gjetur”shtëpinë e priftit”.As mendonim për rrogat e tyre të vogla dhe,ca më tepër,ku do përplaseshim për të fjeturr? Epo kur thonë”mik të jesh,dhe mik mos kesh”,i kishim bërë hesapet pa pyetur hanxhinë. Futur-pa futur mirë në këtë “sipërfaqe të lakmueshme”,kur ISMETI i thotë KOKOS: ” M… do të vijë në shkollë të MINISTRISË së MBRENDSHME për dy vjet dhe,sa është martuar andej nga SKRAPARI (se skraparas jemi) dhe nuk ka ku lë të shoqen,i shkreti! Si thuaj,ta mbajmë këtu ,të shoqen, sa të gjej strehë? Po ku ia”prishnin” njëri-tjetrit dhe nusja e M… u vendos këtu. Në pyeçi se kur gjeti strehë M…? Pas dy vjetësh!!! JO vetëm dy vjet,por ne,të afërmit, mos i premë vajtje- ardhjet? As mos e shkoni për mend! Kemi fjetur shul e shul mbi dyshekët sikur të na kish zënë e keqja. Tek ky bodrum,kanë bujtur me ditë-net dhjetra e dhjetra njerëz të moshave të ndryshme të fisit tonë.Prindërit dhe ne katër vëllezër e dy motra;dy xhaxhallarët tanë dhe fëmijët e tyre që vinin në TIRANË për të vazhduar shkollat të mesme apo të larta. Sa për vete,qeshë më”kokëshiniku”: pushimt e verës në TIRANË te KOKOJA dhe ISMETI dhe qejf,or qej, o qerrata. S’lija film dhe pjesë teatrale pa parë. Më kujtohet se në një nga verat e”kanvalencës sime” tek bodrumi,në TIRANË organizohej një festival teatror: konkuronin ata të rretheve me TEATRIN POPULLOR,unë jo vetëm nuk lashë shfaqje pa parë,por vetëm”HAMLETIN” e pashë të luhej  nga tre artistët tanë të mëdhenj:NAIM FRASHËRI,KUJTIM SPAHIVOGLI dhe KADRI ROSHI. Unë kritiku, kokëshiniku, u vija dhe notën dhe anoja nga KADRIU.  Në vend të ngrihesha e të shkoja nga kisha ardhur,shtriqesha si”punëterezi” dhe gjysma e mijës pesëqind.Pse kot thonë që”rrushi i papjekur nuk hahet”. M… mbaroi shkollën dhe,pas dy vjetësh, e la”hotelin”. Sihariq! Por ISMETI ishte sherbeti dhe,ngaqë e dinte që KOKOJA nuk ia prishte,në sytë tim i tha: – KOKO  A… është transfeuar këtu dhe,keq se keq, shtrënguar jemi,por ky nuk do zgjasë sa M… Dhe,pa mbaruar mirë,trokiti dera dhe u rrëfye A… me të shoqen. U ngulën aty,po për  të mos u hyrë në hak, nuk qëndruan me vite,por me muaj. Ky pelegrinazh vizitorësh qe i pandërprerë dhe,ç’është më e keqja,kishte nga ata që mund të shkonin tek më të afërt të tjerë,por hante bukë veç bujaria e ISMETIT  e KOKOS.
                                                      *     *    *
Ndërkaq,pasi kaluan 15-vjet në bodrum dhe ishin bërë me katër fëmijë ( të katër çuna),ISMETIT dhe KOKOS iu dha dy dhoma e një kuzhinë tek pallati i “SHIJAKUT”. Tani “Sezam hapu”,pa kur t’i shohësh”derven-derven” nga fisi i iSMETIT dhe KOKOS.Sikur bënin garë me njëri-tjetrin. Ndonjëherë,miqtë “kryqëzonin shptatat” me njëri-tjetrin:-Ti ke kaq ditë këtu,tani erdha unë me çunin që do kunkuroj dhe ik,mbathja. Ndonjë tjetër,kish dy çupa të martuara,rreth e qark,po kush të priste buzëqeshur si KOKOJA dhe ISMETI? Aty dhe muhabeti gjym. Vëllai i dymotrave studionte për jurist:java shtatë dhe ai tetë,aty jo tek motrat.Kur doli gjykatës,e harroi dhe “hotelin”,edhe”restorantin”,nuk u kujtua që të sillte qoftë dhe një pako kafe. Aq shumë u “dyndën” tek”hoteli i ri”,sa plaka FANJO,banore e vjetër tek pallati i “SHIJAKUT”,i thotë:- Ç’është këtu moj  KOKO me ju? Të gjeti si një fshatarin tonë nga PËRMETI që i thoshin:”Kusure o LASKA i zi!!”. Dhe vërtet,sime motre,apo “LASKËS së zi” nuk iu ndanë kusuret:-Kushërira ka burrin sëmurë dhe do “trajtim ambulator” në shtëpi. Bujrum, mu tek “LASKA i zi”. Ky, i sëmuri, nja 500 m më tej ka xhaxhan,oficer madhor,por”kolonelka” e tij të vë majat nga thëmbrat. Aty i sëmuri sa u bë qiqër.Qiqër dhe është bërë”qibar”:as kujtohet,në është gjallë,LASKA i zi!
-Po më kanë marrë tokën se nuk futem në kooperativë dhe kam ardh të ankohem. Aty sa të”mbarojë apo mos mbarojë punë”. Kam djalin në spital dhe veç”restorantit” dhe “hotelit”,o burra KOKOJA dhe ISMETI me”vazo” në dorë.. Ca më tej: KOKOJA ka filluar punë në byrektore! Sa të mira! Të bëfshin mirë o luvgat, po përçdo byrek KOKOS i zbritet nga rroga dhe ka katër fëmijë për të ushqyer!!! Dhe mund të vazhdoja dhe më. E nuk mbarohen”vizitorët”,të afërt e të largët, por duke mbaruar këtë shkrim, u them mosmirënjohësve:- Xhepi i xhymertit rri gjithmon hapur.Ashtu bujar që nuk kish shok qe ISMET SULÇE dhe ashtu është dhe sot e kësaj dite,KOKOJA që ka pritur e përcjelll dhejtra e dhjetra njerëz. Ajo është si HANKO ZONJË se ka fëmijë që mend e mbajnë në krah,ka një nuse që e quajnë PRANVERË që pranverë sjell dhe në dimër.pa ka një mbesë që i qesh nuri kur përqafon gjyshen dhe,sa për MALDIN,ja tek hyn tek gjyshja me buzën vesh më vesh.Asgjë nuk i mungon simemotre,përveç  mirënjohjes të asaj skorte me “qeleprirxhinj”.GËZUAR MOTËRXHANI! Të gëzosh me çunat nusen,mbesën e nipin!

About Post Author