Përparim Hysi:Dita   e Novruzit


Përparim Hysi

Dita   e Novruzit

    (poezi)

Nga Përparim Hysi

Nesër është DITA E NOVRUZIT  dhe unë jam bektashi
Po e lë një çast TIRANËN,frymën mbaj për në shtëpi?!!!
Jam kthyer prapë si i vogël,frymën në fshat e mbaj
Mendja ime po vjen rrotull, kam një mall që dot s’e mbaj.

Ngjita kodrën e VAJKANIT dhe,sa dal, aty mbi breg  *
Zemra ime sa s’del xhanit,kam një mall që gjallë më pjek.
Zbres nga bregu tatëpjetë,edhe sosem tek përroi
Jam tani si zok me fletë, kam një mall që më bloi.

U jap këmbëve (hë dhe pak),se me sy ma bën shtëpia
Unë tani nuk jam plak,tek unë u kthye fëmija.
Shoh baban me qengjin pirës,gati për ta bërë kurban

Mbrrij tani dhe bëhem”ndihmës”, si”shpërblim”:shpretkën kam.

Unë e ha shpretkën të gjallë,buzët e mia:gjithë gjak!
Jam tani si”kanibal” dhe të marrë në vetull gjak
Mbushet oda plot me burra,dikush këngë e dikush valle
Japin-marrin gratë në furra,se sot është FESTA E MADHE!

Ç’them e shkruaj është iluzion, kështu festohej veç dikur **
Unë tani jam me tension(për të gjitha:bëj sikur…)
Poezinë e shkruaj kastile për këtë DITË TË SHËNUAR
Për t’u thënë BEKTASHIVE:- Kudo festofshi  GËZUAR!

* aludimi në strofën e dytë është për fshatin “PETOVË” të FIERIT ku kam patur shtëpinë.
** dikur në shtëpinë time që nuk ekziston më.

About Post Author