Përse moj nanë kaq shumë u ngutë…


VIOLETA KADRIU

Ah, moj nanë po ç’ më shkrumbove,

ah, moj nanë, sytë m’ i verbove,

po përse moj nanë, ky mallë s’ po më hiqet,

çdo ditë e më shumë për ty zemra po më digjet?!

Po përse moj nanë, kaq shumë u ngute,

çfarë vallë n’këtë botë t’ hidhëroi, a prej kujtë u tute,

Ti çdoherë thoshe “Jam e fortë si e re”,

” E dua jetën!”- thoshe, na tradhtove ne!…

Më thoshe mos të dorëzohem, por të ec para,

çdoherë më uroje ” Bijé, t’ u dhashtë e mbara!”,

por, Ti, nana ime, përse u dorëzove,

pa lamtumirë të fundit,na le të gjithëve e shkove?!…

A e meritova dhe këtë dënim, nga Ti, i Madhi Zot,

ta ngrys e gëdhij çdo ditë,sytë me mallë e lotë,

sa paskëna pasë gjallë nënën,paskëna pasë planetit,

paskëna mposht nga thesaret e lumturia,

Qiellin, Tokën, malin e detin!…

Më fal, moj nana ime, nëse ndonjëherë t’ kam hidhërue,

nëse shpeshherë nga sytë, për mua lotë ke lëshue,

më fal, nënëza ime, njëmilion herë më fal,

që vdekjes sate s’ pata fuqi, t’ i dal para e t’ i themë “Ndal!”…

Në këtë botë, lus Zotin me bonjakë t’ më takojë,

se vetëm bonjaku- bonjakun me shpirt mund ta ngushëllojë,

veç ai këto dhembje mund të m’ i kuptojë,

e pa hile në zemër të tij do gjejë vend e t’ i strehojë!…

A mund të më tregosh, moj nanë, tash ku të degdisem,

më trego, moj nënoke, ku të gjejnë prehje sytë e mi,

ku të gjej adresë , si tek Ti, mos t” kem drojë se braktisem,

ku të gjej shpirt aq të dashur, që më ngjall si e Jotja ngrohtësi?!

23 Shtator 2021 Podujevë Kosovë

About Post Author