Letërsi për fëmijë

Kapitulli i parë
Peshku i kuq Papa dhe Liora
Çdo pasdite, sapo Liora kthehet nga kopshti, me çantën e saj të vogël në krah dhe sytë plot shkëlqim e kureshtje, ajo vrapon drejt cepit të dhomës ku qëndron akuariumi i ndriçuar si një botë tjetër, një botë ku banon Papa, peshku i kuq që ajo e do më shumë se çdo lodër tjetër. “Papa! Papa!” ,belbëzon ajo sa herë afrohet, dhe peshku, si të kishte ndjenja njerëzore, fillon të rrotullohet me gëzim, duke bërë kollotumba brenda ujit të pastër. E njihte zërin e saj, e ndjente prezencën e vogëlushes dhe çdo pasdite ishte si një festë e vogël mes tyre.
Një ditë, ndërsa dielli perëndonte ngadalë dhe një rreze e butë ndriçon portën e dhomës, Liora vuri re diçka ndryshe. Papa nuk po lëvizte si zakonisht. Qëndronte në fund të akuariumit, paksa i qetë, thuajse i trishtuar. Liora u ul pranë, ngjiti faqen mbi xham dhe tha me zë të ulët: “Papa… çfarë ke sot?” Mamaja iu afrua dhe i vendosi dorën në shpatull. “Ndoshta Papa është pak i lodhur,” i tha me zë të butë.
Por Liora nuk u bind. Ajo vendosi të qëndronte atje më gjatë se zakonisht, duke kënduar për të këngën e saj të preferuar nga kopshti, një këngë e thjeshtë për diellin, lulet dhe miqtë. Dhe ndërsa këndonte, ngadalë-ngadalë, Papa nisi të lëvizte, fillimisht me pak përtesë, pastaj me më shumë jetë, sikur zëri i Liorës po e zgjonte nga një ëndërr e trishtë. Që nga ajo ditë, Liora filloi t’i tregonte Papa-s histori. Ulej para akuariumit çdo pasdite dhe i fliste për çfarë kishte bërë në kopësht për vizatimet e saj, për shokët dhe për mësuesen. Dhe gjithnjë, Papa dukej sikur e dëgjonte. Një mbrëmje, ndërsa binte shi, Liora solli një vizatim. Kishte pikturuar një akuarium të madh, me një peshk të kuq në mes, dhe pranë tij një vajzë me flokë të shpupuritur. Në cep të letrës kishte shkruar me shkronja të mëdha: “Unë dhe Papa – shokë përjetë!” Mamaja e kapi vizatimin dhe e vendosi mbi akuarium, si një kujtim i vogël i një miqësie të madhe. E që atëherë, çdo ditë, përveç përshëndetjes së zakonshme, Liora i thotë Papa-s edhe diçka tjetër: “Mos u trishto kurrë, Papa… se unë jam gjithmonë këtu!” Dhe Papa, në mënyrën e vet të heshtur, vazhdon të rrotullohet plot jetë, duke i thënë: “Edhe unë!”
…Kapitulli i dytë Udhëtimi i Liorës në Mbretërinë e Ujit
Një natë, ndërsa shiu binte lehtë mbi xhamat e dritares dhe era fëshfërinte perdet, Liora u fut në shtrat me mendjen te Papa. Kishte kaluar një ditë të bukur, por ndjente një dëshirë të fortë që të ishte më pranë mikut të saj. Ajo mbylli sytë, duke mbajtur fort në krah lodrën e saj të preferuar,një peshk të kuq prej pelushi, që ngjante me Papa-n. Papritur, gjithçka rreth saj u bë e heshtur… dhe kur i hapi sytë, nuk ishte më në dhomën e saj. Ajo ndodhej brenda një bote të çuditshme dhe magjike, nën ujë. Nuk ndiente frymëmarrjen, por çuditërisht mund të merrte frymë lirshëm.
Rreth saj notonin krijesa të shumta,si breshka, meduza që ndriçonin, dhe peshq me ngjyra që nuk i kishte parë kurrë më parë. Dhe aty, në qendër të gjithçkaje, e priste peshkun Papa Por tani, Papa nuk ishte thjesht një peshk i vogël në një akuarium. Ishte më i madh, shkëlqente, dhe kishte një kurorë të artë mbi kokë. “Mirë se erdhe, Liora!” , i foli Papa me një zë të butë. “Ti ke hyrë në mbretërinë e ujit, dhe unë kam nevojë për ndihmën tënde.” Liora nuk u frikësua aspak. Ajo u mahnit nga bukuria e kësaj bote dhe eci pranë Papa-s që notonte në ajër përpara saj. “Çfarë ndodhi?”,e pyeti ajo.“Mbretëria është në rrezik. Kristali i dritës, që ndriçon të gjithë oqeanin, është zhdukur. Vetëm një njeri me një zemër të pastër dhe një dashuri të sinqertë mund ta gjejë atë.”Liora ndjeu se Papa e kishte zgjedhur për një arsye të veçantë. Ajo pranoi misionin pa hezitim dhe së bashku, nisën një udhëtim të jashtëzakonshëm nëpër pyje të algave, shpellave të errëta dhe koralesh shumëngjyrëshe.Në fund të një shpelle të fshehur, mbuluar nga rrjeta e perlave, Liora gjeti Kristalin . Ai ndriçonte kur ajo iu afrua, si të njihte shpirtin e saj të mirë. Me ndihmën e Papa-s, ajo e riktheu në qendër të mbretërisë, ku u vendos sërish në fronin e tij të ndritshëm.E gjithë bota nën ujë u mbush me dritë, dhe krijesat festuan me muzikë dhe dritëza që vallëzonin në ujë.Faleminderit, Liora, i tha Papa. Ti nuk je thjesht shoqja ime. Ti je heroina jonë. Liora qeshi dhe ndjeu zemrën që i rrihte me gëzim. Papritur, gjithçka nisi të zbehej,dhe kur hapi sytë, ishte në ëndërr në shtratin e saj. Por mbi komodinë, kishte një perlë të vogël me ngjyrë blu që nuk e kishte parë më parë.A ishte thjesht një ëndërr?Ndoshta. Por Liora e dinte diçka me siguri: lidhja e saj me Papa-n ishte më e thellë se sa një vajzë dhe një peshk. Ajo ishte një magji e vërtetë. Kapitulli i tretë :Rryma e Errët Pas aventurës së parë, çdo natë Liora e shtrëngonte perlën blu në dorë, duke shpresuar të rikthehej në Mbretërinë e Ujit. Një natë, si me magji, ndodhi sërish. Ajo u zgjua nën ujë, aty ku Papa e priste, por këtë herë diçka nuk shkonte. Uji ishte më i errët, krijesat e detit dukeshin të shqetësuara dhe valët ishin më të forta. — “Ka ndodhur diçka e keqe,” – i tha Papa. “Një Rrymë e Errët po afrohet. Është një forcë e lashtë që përpin dritën dhe dashurinë. Nëse arrin në mbretërinë tonë, gjithçka do të humbasë.” Liora nuk e mendoi dy herë. “Do të të ndihmoj përsëri. Si mund ta ndalojmë?” Papa e çoi në një vend të fshehtë ku ruhej një hartë e vjetër, që tregonte burimin e rrymës së errët: një vorbull e errët në fund të oqeanit. Për ta ndalur, dikush duhej të vendoste një bërthamë drite në zemrën e saj. Por rruga ishte e rrezikshme, plot me stuhira, gjarpërinj detarë dhe iluzione. Së bashku, Papa dhe Liora nisën një tjetër udhëtim sfidues…
Pjesa e katërt : Lotët e Yllit
Liora u kthye në mbretërinë e ujit me zemrën plot gëzim. Çdo herë që takonte Papa-n, zemra i mbushej me dritë. Por këtë herë, diçka nuk ishte në rregull. Uji ishte i ftohtë, dhe kur e pa Papa-n, zemra iu drodh. Ai notonte ngadalë, lëvizjet e tij ishin të lodhura dhe ngjyrat në luspat e tij nuk kishin më shkëlqimin e dikurshëm.- “Papa!” – thirri Liora, duke notuar drejt tij. Ai ngriti sytë me vështirësi dhe buzëqeshi lehtë. – “Jam mirë… vetëm pak i lodhur.” Por një krijesë e urtë, një oktapod i vjetër që qëndronte në hyrje të kështjellës së koraleve, u afrua me sy të thellë dhe të menduar. — “Ai është prekur nga helmimi i errët,” tha ai me zë të ulët. “Një polip i lashtë, që fle në skaj të mbretërisë së hijeve, ka lëshuar helmin në rrymat e ujit,dhe zemra e Papa-s, aq e pastër, e ka ndier e para.” — “Çfarë mund të bëjmë?” — pyeti Liora, me sytë e mbushur me lot. — “Ekziston vetëm një shërim… një pikë nga Lotët e Yllit — eliksiri më i rrallë në det. Ndodhet në një liqen të fshehur, të ruajtur nga krijesa që e mban dritën për vete.” Liora nuk hezitoi. E puthi Papa-n lehtë mbi ballë dhe u nis. Ajo udhëtoi vetëm, përmes errësirës, përmes vendeve ku drita nuk arrinte kurrë. Por zemra e saj ndriçonte rrugën. Dëgjoi zëra që e frikësonin, por nuk ndaloi. E dinte se koha ishte e shkurtër. Kur mbërriti në liqenin e fshehtë, u përball me Krijesën e Hijeve – një krijesë e madhe dhe e vetmuar, që ruante Lotët e Yllit. — “Unë nuk i jap askujt dritën,” – tha ajo. “Njerëzit e kërkojnë vetëm për veten e tyre.” Liora nuk u frikësua. — “Unë nuk e dua për vete. Dua ta shpëtoj mikun tim.” Fjalët e saj, të thjeshta dhe të vërteta, bënë që një dritë e butë të ndriçonte sytë e Krijesës. Ajo nxori një pikë të vogël drite , një Lot Ylli , dhe ia dha Liorës. —“Shko. Dhe mos harro: dashuria është drita më e fortë nga të gjitha.” Liora u kthye me shpejtësi. Papa ishte më i dobët, por ende e priste. Ajo e vendosi Lotin mbi ballin e tij dhe një dritë e ngrohtë u përhap në gjithë trupin e tij. Papa hapi sytë. Ngjyrat iu kthyen. Dhe buzëqeshi. — “Ti më shpëtove… përsëri.” Ata u përqafuan mes ujit që tashmë ndriçonte lehtë. Dhe ndonëse Liora e dinte që ndonjëherë ndodhin gjëra që nuk mund t’i ndalim… gjithmonë mund t’i mbajmë ata që duam në zemrën tonë – përgjithmonë. Kapitulli i fundit Drita që Jeton në Zemër Pas shpëtimit të Mbretërisë së Ujit, deti rifitoi qetësinë dhe ngjyrat e tij. Krijesat lundronin të lira, dhe rrezet e diellit depërtonin sërish thellë në fundin e oqeanit. Liora u përshëndet nga të gjithë me nderime dhe mirënjohje, por ajo ndiente se ishte koha të kthehej në botën e saj. Papa i dha një përqafim të fundit dhe një dhuratë: një copëz të kristalit të dritës që ajo kishte vendosur në zemrën e vorbullës. — “Kjo është dëshmia që drita më e fuqishme lind nga guximi dhe dashuria.” Kur Liora u zgjua në dhomën e saj, mbante ende perlën blu në dorë dhe një ndriçim të lehtë në zemër. Ajo e dinte se çdo natë, nëse kishte nevojë, mund të rikthehej në Mbretërinë e Ujit. Por më e rëndësishmja: ajo kishte kuptuar se forca për të përballuar errësirën ekziston brenda secilit prej nesh. Dhe kështu, Liora nuk ishte më thjesht një vajzë me një perlë magjike Ajo ishte ruajtësja e dritës.