Petraq Pali-E pafajshmja!


Petraq Pali

  · 

arshiva

pJp

E pafajshmja!

Skice Letrare

E kisha njohur qysh në vitet e fillimit të mërgimit tonë në dhe të huaj. Ishte e martuar dhe me fëmijë. Kishte ndërtuar një familje për ta patur zili. Ishte tek të 35-at. E bukur, aq sa binte në sy në të gjithë familjet e emigrantëve që kishin ardhur në ishull. Të gjithë e shikonin me admirim. Ishte modeste, gjithmonë buzagaze dhe e qeshur.

Intelektuale e kompletuar dhe njeri i mirë, fisnike, bujare dhe e mënçur. Faqet i kishte natyrshëm të kuqe, sytë me bisht dhe ngjyrë blu. Një gjoks i bëshëm ndillte lakmi në syt e meshkujve. Përsosmërisht një trup të derdhur sportisteje, me një mes unazë, këmbët si të derdhura në mermer dhe askush nuk besonte se ishte nënë. Edhe sot ngjan si gjimnaziste, plot nur dhe hijeshi.

E quanin Sonja. Punonte shumë, sa në një punë në punën tjetër dhe kudo e respektonin për seriozitetin, ndershmërinë dhe korrektesën. Kishte fëmijë për të rritur e shkolluar. Fëmijët i mbante pastër, i vishte thjeshtë, por bukur.

Ishim komshi në atë ishull të bukur dhe të rrallë. Shkonim shumë mirë me ta dhe gjëndeshim pranë për çdo hall, si në të mirë dhe në të keqe. Kur im Atë ndrroi jetë, ata m’u gjendën pranë si të ishin pjesëtar të familjes time, duke më lehtësuar dhembjen.

Burri i saj kishte qenë intelektual, njeri i mirë i qeshur, por nuk e “hante” shumë punën fizike, gjë që e kompesonte Sonja me sakrificat e panumurta të saj. Ishin vite të vështira, vite të një lufte të tmershme për të mbijetuar. Puna duhet të mbahej me dhëmbë, mbasi krahu i punës, nga dyndja e madhe e emigrantëve ishte i lirë dhe pa vlerë.

Këtë e ç’frytëzonin “peshkaqenët”, pasanikët e pamëshirshëm që donin të mernin nëpër këmbë këtë fluks të madh “të vobektëve”që të sforcuar dhe në mënyrë të vuajtur u larguan nga atdheu nga një jetë tejet e vështirë.

Sonja, ishte një nga këto nëna që sakrifikoi rininë e saj për fëmijët, për një ëndërr që nuk e realizoi dot në atdheun e saj! Dhe fëmijët iu bënë të mirë dhe të mbarë. Ata i shikonin lotët e dhembjes së nënës së tyre dhe qanin heshtur fshehtas saj duke u betuar se një ditë do bëheshin të aftë e të denjë për të mbjell në sytë e nënës një diell shpirti të merituar.

Në këtë luftë për jetën Sonja pa se i mungonte gjysma e vetes, i mungonte krahu ku duhet të mbështetej në jetë si grua, si nënë. I mungonte përkushtimi dhe kontributi i të shoqit. Ai humbi në pellgun e veseve duke ngrohur një shtrat tjetër. Atje i kërkohej vetëm një gjë: të kryente detyrën si mashkull, ndërsa në familjen e tij kishte detyra të mëdha për të rritur e edukuar fëmijët.

Sonja nuk kishte kohë të humbiste kohën që i duhej për të mbushur sofrën e familjes ku e prisnin të vegjëlit e pafajshëm. Gjithë dashurinë e jetës e hodhi tek fëmijët dhe ashtu siç kishte harruar shumë gjëra donte të harronte edhe veprimin e të shoqit. Nuk donte më plagë, kishte aq shumë. Personaliteti i saj rritej çdo ditë. Të gjithë e shikonin me admirim dhe sado që vështirësitë iu shtuan më shumë ajo diti t’i përballoj me dinjitet.

Ishte viti 2006 kur e takuam në Metropolin e shtetit fqinj. Sa kishim ardhur me pushime nga Amerika, ku banonim prej disa vitesh. Ajo, mbas shkatërrimit të familjes kishte ndëruar vënd banim së bashku me fëmijët. Ishte një takim i përmallshëm dhe kishim shumë për të pyetur e mësuar për njeri-tjetrin. Na u lut të shkonim në shtëpi, por ne i treguam se kishim zenë hotel.

-Kam shtëpi të mjaftueshme, mund të rini sa të doni. Do gëzohen dhe fëmijët! Unë jam thuajse e ikur, shkoj në punë edhe natën. Sa mirë që u takuam, kemi kaq vjet pa u parë. Kemi qenë si një shtëpi! Sa më kishte marë malli!

Ne e qetësuam dhe i thamë se do vinim për një vizitë dhe i uruam gjithë të mirat. Në fillim nuk e njoha, ishte dobësuar dhe e zverdhur aq shumë. Ku ishin ata sy të bukur? Po ato faqe të kuqe si mollë? Edhe në frymën e saj lexohej trishtim, dhembje, brengë, sedër, por edhe një ndjenjë krenarie dhe dinjiteti për shtigjet e egra të jetës që kishte kapërxyer deri tani. Nuk e jepte veten për ç’ka i kishte ndodhur.

Kur ishim në ishull na vinte shumë keq për sa i ndodhi me të shoqin, por ishin punët e tyre, s’kishim ç’të bënim.

Na takoi e përmalluar, sa kthehej nga puna e dytë . Lodhja nga jeta e kishte holluar por nuk e kishte këputur. Akoma mbahej dhe vishej bukur dhe me shije. Ngjante si ikonë me ata sy mallëngjyes plot shpresë dhe jetë.

Siç ishim shkuam në një bar-lulishte afër dhe porositëm, por Sonja që në fillim tha se do qeraste ajo. Pranuam me buzëqeshje dhe respekt. Kamarieri solli porosinë dhe ajo nuk rreshtte së foluri për vete, për fëmijët që ishin rritur. Por pas pak në sytë e saj filluan të rridhnin lotë.

-Nuk i vë faj tim shoqi, ndoshta ai kërkonte më shumë kohë e vemendje për vete, por unë isha e përkushtuar me punën dhe me hallet e familjes. Ai nuk e vlerësoi këtë. Ç’ti bësh, ashtu erdhi jeta, disa gëzojnë, disa vuajnë.

Më dukej vetja si në ëndërr. Më dukej sikur për herë të parë dëgjoja dhembje të tillë. Nuk e besoj as sot për sa ka ndodhur. Për atë njeri kisha një simpati të fshehur, por kurrë nuk e kisha kapërxyer pragun e arsyes kur e shikoja mes atyre dhembjeve e sakrificave të panumurt që bënte në luftë me jetën. Por sot nuk di pse më kapi një dëshirë e çmendur, doja ta përqafoja atë grua, t’i mbështesja kokën e saj në gjoksin tim sepse më dukej sikur edhe unë isha fajtor për fatin e saj. Doja të qaja bashkë me të. Doja të shikoja gaz në sytë e saj, si dikur që e përpija me sy.

Por Sonja vazhdoi:

-Im shoq më shkeli në besë, më tradhëtoi në një kohë që kishim kaq detyra dhe halle në jetë. Më ka dërguar kaq herë mesazhe pajtimi, por unë nuk e fal. Kalova kaq dallgë jete, rrita fëmijët vetëm. Ai bashkëjeton me dikë tjetër, mua më braktisi, më fyeu, por edhe fëmijët s’kanë të mirë. U rritën pa dashurinë dhe mbështetjen e tij, megjithëse e kanë baba dhe u dhimbset, por edhe mua më vjen keq, e pata dashuruar, ishte dashuria ime e parë.

Unë dhe ime shoqe nuk dinim ç’të thoshim. U ndjemë të mpirë, përjetuam sinqerisht dhimbje dhe nostalgji. Kishte qënë çift ideal.

-Nuk ka nevojë t’ju them si ndodhi, por ja që ndodhi. Nuk mund ta tretja një tradhëti të tillë, humba dashurinë, humba rininë, humba gjithçka. Kanë kaluar shumë vjet, por jeta më mësoi se jo çdo gjë shkon si në vaj. Isha e re, ngela në mes të udhëve pa asnjë ndihmë tjetër, veç dy krahëve të mi. Kurrë ndonjë here nuk e mendoja këtë, por jeta ka të papritura!

Ishte një ditë me diell dhe karriget tona dolën zbulura nga hija e çadrës. Thirrëm kamarierin dhe pasi u sistemuam donim të ndrronim temën e bisedës, por Sonja kishte nevojë të rrëfehej, të fliste. Ishim miq me besë. Ime shoqe më bëri shenjë që të rritja interesin dhe ta nxisnim në rrëfimin e dhembshëm të saj.

-Me gjithë që të shkëputur tash e disa vjet, ai ruan dashuri për mua, madje bëhet edhe xheloz! Kërkon të di ku shkoj dhe ç’farë bëj! Brenda shpirtit edhe mua më dhimbset, nuk e di pse, po sinqerisht më dhimbset dhe me vjen keq pse u largua nga ne, ç’farë fitoi dhe çfarë zgjidhi, veç përbuzje dhe nënëvlerësim? Shpesh më del para e më thotë: “Sonja, ja që ndodhi, as unë nuk desha, por nuk di si e pësova, kujdes për fëmijët, më vjen turp për ta!” Por unë habitem pse kërkon të më “mësoj”, ç’do të thotë me ”qëndro besnike e tyre”? Ç’farë kupton ai me këtë fjalë “besnikëri“. Jam krenare, çka se dëshpërimi ma ka hyrë thellë deri në eshtër. Ai, vazhdon të gabojë, me bashkëjetuesen, herë afrohet dhe herë largohet, asnjëherë të dashuruar.

Kaluan gati dy orë pa kuptuar, m’u dhims dhe i them plot zë duke e kshilluar miqësisht.

-Mendo për vete Sonja, martohu sa s’është vonë! Fëmijët kanë jetën e tyre, keni nevojë për një njeri afër, jeni ende shumë e re. Jeta, është labirinth, nuk është vonë. Gjithmonë vuan i pa fajshmi, ju jeni e tillë. Humbe një dashuri, duhet një tjetër, detyrat i mbarove. Jeta do jetuar deri në fund sikur njeriu nuk do vdesë kurrë. Jeta është jotja.

Ime shoqe, kur unë kshilloja Sonjën, u revoltua dhe me foli me inat:

-E kupton ç’farë flet? Marrëzira! Po, po marëzira! Kjo, veproi dhe bëri atë që bën një nënë e mirë, sakrifikoi dhe bëri më të mirën për ta. Ah, ju burrat, sa të pa besë që jeni ?

-Jo të gjithë,- tha Sonja plot zë.

-Natyrisht, jo të“gjithë”,- tha ime shoqe me ironi dhe nëpër dhëmbë shtoi se burrat në përgjithësi janë shokë të qenit! Gjithmonë në këtë jetë i pafajshmi ndëshkohet.

Po afronte ora e ikjes, kur për rastësi apo koicidencë u paraqit ish burri i Sonjës me një grua në krah. U afrua dhe si gjysëm i turpëruar na prezantoi “gruan” e tij: Ime shoqe, na tha dhe zgjati dorën.

Ne i dhamë dorën për inerci, ndërsa Sonja e befasuar u ngrit vrullshëm nga karriga dhe i ktheu shpinën. Ishte gjendje shoku. Ish burri i saj me një grua tjetër dhe pafytyrësinë që vjen e prezantohet. Ai kishte marë një grua tjetër, e treta për të, mbasi kishte braktisur Sonjën edhe të dytën.

Ne vazhduam të qëndronim në kafe, kur Sonja u ngrit dhe shkoi në kabinën telefonike për karshi për të lajmëruar vajzën e plakës për të cilën kujdesesh se atë natë nuk do shkonte në punë, por do na shoqëronte ne.

Ish i shoqi i Sonjës na përshëndeti dhe iku pa na dhënë dorën. Shoqja që kishte në krah na përshëndeti, duke thënë në shqip “natën e mirë, o shqiptarë!” Sonjës, nuk ju durua dhe e pyeti ish burrin: “Po kjo, or qyq, nga është”?

Ajo ishte Moldave, por kurrë asnjëherë më e bukur se e pafajshmja Sonja. Ai, kokëulur u përgjigj se është motra e Irenes, ish e dashura e tij.

-I mjeri ti si je katandisur!- tha Sonja. Fale o zot!

Pas pak morë metron dhe shkuam ne shtëpinë e Sonjës si mysafirë. Anulluam hotelin dhe kaluam një mbrëmje të paharruar, mbresëlënse mes fëmijëve të saj të mrekullueshëm që na pritën me shumë mall. Sonja, me kursimet e saj kishte blerë një shtëpi të madhe dhe luksoze, fëmijët. I kishte bekuar Zoti, njëri më i mirë se tjetri. Të shkolluar dhe me bizneset e Tyre.

Sonja si flutur me lot në sy përgatiti darkën! Dashuria dhe mirënjohja për miqësinë e vjetër u shtrua e tëra në tavolinë atë darkë. Ime shoqe mendonte e hutuar, dhe në avullin e një pshërtime m’u duk sikur u shkruajt: Pse të ndëshkohet pafajsia?

Petraq J Pali

Athinë Maj 2013.

Comente…

Suzi Lati Si Sonja e tregimit tuaj Z. Petraq ka dhe shume te tjera qe kane patur fatin e Sonjes. PO sekreti i suksesit gjithnje eshte te mposhtesh dhimbjen ,te ecesh perpara sepse ata qe nuk kane faj jane femijet qe ke prure ne kete bote ,te dish te mbash timonin e anijes edhe ne furtuna shume te forta, ti kesh pregatitur femije te denje dhe te afte per ti sherbyer me dinjitet kesaj shoqerie .DHe me ne fund vdes krenae se mundi dhe lodhja nuk humben dhe u mbuluan nga pluhurat e kohes .po gjithcka ka nje vazhdimesi

Petraq Pali Kapedani i mire ne “Furtune ” njifet thote populli znj.Suzi !.Sonja, eshte me te vertete nje mbi grua ose grua e ralle.Ju Faleminderit. Komenti juaj me pelqeu, ishte plotesues i skices letrare qe une krijova. pjp

Vangjel Xhani Nje histori,ose me mire nje hymn per femren shqiptare,nje evidentim per shume nena me pervoje te hidhur emigracioni,perkushtim homerian per femijen familjen,dhe fitimtare,duket se kjo grua e ka fituar dyfish vazhdimesine e shprehur ne femijen e saj,jeta nje here jepet ,te dish si ta jetosh,Duhet te kesh bagash te shumte jetesor te shkruash nje skice te tille jete..

About Post Author