Petraq Pali-Fragment nga “Vise dhe njerëz Perëndie”


Petraq Pali

Pasi vuajti goxha, me orë të tëra në atë kolibe burg, i pandehuri ynë nxjerr kokën tek porta gardh e i thotë me zë melankolik e mjerues…ushtarit:
“Aman, more ushtar je bir nëne, të lutem më sill pak ujë, se po vdes”
Ushtari as e vërshëllente në atë kolibe burg, por herë pas here i thotë:
“Pusho kriminel.”
“Po ç’kam bërë që jam kriminel?! Mos vrava njeri unë i varfëri”
Po ushtari ishte me qen bir qeni se shefi i tij. Kështu kaloi katër orët e para, ndërrohet ushtari, i cili kur la rojen e porositi pasardhësin të mos i jepte ujë se kish thënë shefi.
“Ka që në mëngjes që unë s’i kam dhënë asnjë pikë. Bile pija ujë me pagure para tij dhe e tërbova më shumë…”
“Mirë”, i thotë ushtari, i cili mori ndërresën!
Mbas ndonjë gjysmë ore a më shumë, i pandehuri bëri sikur i kishte rënë zali ose, siç themi, të fikët. Afrohet ushtari i ndërresës që ishte njeri i sjellshëm, i mirë, i edukuar dhe i butë e i thotë nga dera gardh.
“Hë more, si je?”
“Keq, keq…keq – me një zë të mekur – më torturuat, s’kam vrarë njeri, as kam tradhëtuar atdhenë… Më morën më qafë! Unë vija nga Saranda kisha blerë dhe një trastë peshk dhe këta ma ngjitën sikur i kisha vrarë në det me dinamit… Për kokë të fëmijëve i bleva në Sarandë. – Betohej e stërbetohej, – Më lanë këtu…shefi më thanë ka vajtur në Vlorë a ku është se nuk po vjen të më pyesi. Më rrasën këtu, u thava për ujë, plasa vape. Po vdes, në ke perendi dhe ai shoku yt, s’ish njeri i mirë aspak. Po deshe ti të më ndihmosh, të lutem”.
“Më vjen keq, po ka urdhëruar shefi…”
“E ku do ta shohë shefi, o derezi se çdo bësh ti. Bëje për shpirt, të lutem! Ja, je shqeto si djemtë e mi edhe unë njërin e kam ushtar. – Jepte e merrte, po ushtari qe djalë i mirë mesa dukej, se të paktën edhe bisedonte me të. Po dhe shpesh kontrollonte mos vinte shefi dhe e merrte më qafë që po bisedonte me viktimën. Si përfundim “i burgosuri” i thotë – Mirë ujë nuk me jepni, po deshe më jep një grusht kripë ta ripërtyp e ta mbaj në gojë të shuaj etjen… Është një më një…”
“Ç’thua, o budalla – i thotë ushtari, – kripa të ndez më shumë për ujë…”
“More sille ti në do të më shpëtosh. Po të kërkova ujë, mos më thënçin në emër. Me vdekshin djemtë”. – Ushtari i habitur, nuk foli po shkoi në kuzhinë e cila ishte poshtë shkallëve, hodhi në një copë gazetë nja dy grushta kripë e ja dha…
“Po fole e kërkove ujë nuk je burrë i mirë dhe do të kushtojë.”
“Faleminderit. Të shkosh shëndosh tek jot ëmë” – uronte qetë-qetë viktima, i cili kaloi edhe disa orë në atë lloj torture…
Nga ora tetë e darkës i flet ushtari tjetër që kishte ndërruar të dytin dhe e vë para në drejtim të zyrës se shefit, i cili e njihte mirë, se dhe shefi gjuante peshk me dinamit, me pezivoll, edhe me grepa. Ishte edhe gjahtar me çifte e gjuante dhe në stinët kur shteti kish ndaluar në sezon … Ai tip gjuante edhe gratë atje ku hante e pinte… Ai qe vetë shteti…!
“Tani nuk shpëton më. – ja nisi shefi – Boll me historitë e tua. Ja hodhe oficerit të Kamarezës në Borsh me peshqit e grekut e ngeli histori, po mua më thonë Namik Gaxho, more fëlliqësirë. Të bëj atë që nuk e mendon. Do të kalb në burg. Maskara, tradhëtar. – Në prezencë të tij ishin edhe polic Josifi, edhe një tjetër që ishte edhe sekretar. – Shkruaj – i thotë policit sekretar, – pyetjet e mia dhe thëniet e tij, të bëjmë Procesverbalin e ta nisim për gjithë natën në Vlorë. Të rrijë në burg sa të dalë në gjyq. Po luftojmë me reaksionarët që i sjellin shqetësime partisë dhe shokut Enver. Kjo Himarë do vjellë gjak sa të jem unë këtu, se partia më ka besuar zonën më të rrezikshme të reaksionit. Këtu është vatra e greko-manisë, po këtu jam unë, më i zoti, më i ndershmi. Do bëj që kur të kaloj unë të dridhen himarjotët…!”
“- Gati!” – thotë polici dhe me penë e bojë po hartonte procesverbalin…
Shefi pyet… viktima përgjigjej…:
“ Emrin, mbiemrin, datëlindjen. Ç’orë ishte, kur të kapën duke hedhur dinamit?
“Shoku operativ, unë po ju tregoj të drejtën, jam i pafajshëm. Nuk është e vërtetë që më kapën duke vrarë peshk. Unë u thashë atyre, unë vij nga Saranda, ku bleva edhe një trastë me peshk. Erdha me makinën e rruga urës dhe, sa zbrita monopatin nga Shiroku për të ardhur në shtëpi, më mbërthyen këta. Më kontrolluan dhe si panë peshqit ne traste më thanë se i kisha vrarë me dinamit.
U them jo more me të mirë e me të keq, nuk janë të vrarë, se po të ishin të vrarë nuk do ishin dhe të kripur. Po ku dinë ata, sepse mendojnë që peshku, po doli nga deti, është edhe i kripur.
Meqë deti ka kripë”.
Hapi sytë shefi: “Ç’thua more?! Hape trastën!”.
Shikon peshkun gjithë kripë, e kontrollon, kripa mbi lëkurë kish zënë shtresë, se ndenji kaq orë në diell nën llamarinat e hajatit…
“Ja më thuaj zoti shef se ju jeni peshkatar vetë. A del nga deti peshku i kripur, kur e vret me dinamit?”
“Nuk e di unë, nuk shkel ligjet e shtetit të gjuaj me dinamit –
Ore ti qen thotë shefi me autoritet, e mua mos më thuaj zoti, as shoku, se nuk jam shoku jot…”
“Më fal, po unë kam besim se partia nuk merr më qafë njerëz kot rrugës, sa vijnë nga pazari e t’i rrasi në burg”.
Shefi i revoltuar ngrihet, gris procesverbalin, shan, fyen, i fut një shqelm nga mbrapa dhe urdhëron largimin e tij urgjent…!

(Viktima vuri buzen ne gaz dhe me vete kujtoi oren qe i kërkoi ushtarit roje per nja dy grushte krype te shuante etjen..)

Ngjarja eshte me se e vertete.

About Post Author