Petraq Pali-Përralla e gjyshes


Përralla e gjyshes.

Unë nuk kam pasur fatin e mirë të kem patur gjyshe as nga nëna, as nga babai. Ato të dashurat e mia, kishin ndëruar jete brënda një viti, kur isha unë një vjeç.

Kështu që përrallat e mia, i dëgjoja nga gjyshja e Kolit, mëmë Boçia, e cila, kur nëna ime ikte në punë, më mbante dhe kujdesej për mua.

Koli është moshatar im dhe ne u rritëm bashkë me motrat e tij, siç u rritëm dhe me Lelon dhe gjitonë të tjerë në atë rrugicë të kalldrëmtë, ku kujtimet për të hera -herës më mbysin.

Mëmë Boçia, ishte grua e qetë,e urtë e mënçme, e varfër, por tepër fisnike aq sa ndodhte që hera -herës, kur nëna mbasi vinte nga puna dhe vinte të na merrte, ne nuk donim të largoheshim prej saj. Bëheshim mbi dhjetë, dymëdhjetë fëmijë gjithësej. Të djalit të saj ishin 5 dhe ne të tjerët ishim të lagjes.

Atë e kishim idhull. Sa ngriheshim në mëngjes, donim të gjithë të rrinim në prehërin e saj, afër oxhakut. Krijonte një mjedis të ngrohtë dhe të dashur për ne. Fliste ngadalë dhe na këshillonte. “Pedagogjia” e saj ishte më e veçanta nga ajo e çdo mësuesi që kam njohur gjatë jetës time. Ajo të mësonte pastërtinë,urtësinë, fisnikërinë, bujarinë, mirësinë, trimërinë, frikën ankthin, qëndrushmërinë, buzeqeshjen, trishtimin, fatkeqesinë,gëzimin, por mbi te gjitha edhe më kryesoren, për energjinë pozitive që ua trasmetonte të tjerëve gjatë jetës.

Thua të ishte historiane se edhe tragjeditë e lashtësisë Greke që mësuam më pas në shkollë, ajo dinte të na i rrëfente mjeshtërisht. Trojën,Termopilat,Odiseun,Pinelopin, Akilin,Sokratin,Ezopin, Aristotelin,siç na mësoi edhe Skëndërbeun e lufëtrat e tij kundër bishës Otomane, në Krujë, Trovioll e gjetkë.

Ku e gjënte kjo grua atë kulturë e atë mënçuri nuk e mësova asnjë herë dhe më pas kur u rrita.

Motua e asaj gjysheje( se ishte gjyshja e të gjithëve) ishte dashuria që ndjente për ne të gjithë, sikur të ishim të saj pa dallim. Ajo kurrë nuk bënte diferenca mes nesh si në të qortuar njësoj, në ushqim njësoj, në rradhën e të folurit njësoj. Kur na vinte në gjumë në dreke, ishte tamam një mikrokonvikt i pa komoduar, me një varfëri të pa imagjinushme, pa shtretër, pa tavolina, pa ndërresa e tangërlleqe, pa perde të mos na hanin mizat e të na lëpinin turijte dhe buzët nga qumështi i dhirtë. Na shtronte në dysheme për të fjetur dhe për jastëk na vinte nga një rrugicë leshi. Ajo ishte shumë, shumë, shumë e pastër vet dhe ne ashtu na edukoi të ishim borë të pastër pa na rënë një pisllëk mbi vete.

-Ej ej.. .kujdes Petro, je më trazovaçi!- më thoshte,- më zhurmuesi, më ngacmusi, më hileqari, më i djallëzuari, më i rebeluari, me i padispilnuar, më i mënçuri për djallëzira…Bëj kujdes, të të duan shokët jo të të urrejnë! Me mijëra e mijëra ishin porositë e saj që më vlejtën si busull orientuese në jetë njësoj si këshillat e prindërve të mi.

Shtëpia e mëmë Boçes (kështu i thërrisnim sa as sot s’ia di emrin e saktë ) ishte një katshe, me një qilar poshtë, ku vinin kashtën për kafshët dhe zairenë e dimrit, vaj raki, çepelle bukëfiqe qepë, patate…Atje rrinin freskëta; portokallet, mandarinat limonët, bajamet, arrat, nëpër trasta e nëpër thasë varur në murin e gurtë mbi ca ganxha hekuri.Qilari kishte dy dritare te vogla për ajrim.

Ndërsa lart, ku rrinim ne, ishin dy dhoma të mëdha.Vendi ku rrinim ne, sherbente dhe si guzhine edhe si sallon, se kishte dhe oxhakun. Kishte një deredritare ballkoni,nga ku dukej deti me horizontin pa kufi deri ne Korfuz. Lartësia nga ballkoni në tokë ishte gati 9 metra, ajo tmerrohej kur ndonjë nga ne, e sidomos unë , dilja pa lejen e saj në ballkon. Dridhej, zverdhej dhe ndihej keq, si e zënë në faj. Sa e dhëmbshur dhe sa e përgjegjëshme ishte. Tani e kujtoj atë barrë të rëndë që merrte mbi vete ajo grua, pa kurrfarë interesi.

Shtëpia e varfër, por bujare e saj, me ca qilima te rinj shtruar, dukej si“sallon“Sulltani, plot hijeshi e madhështi. Ne kishim gjithsecili sendet e veta; edhe karriket,dhe jastëkët, edhe lugët, edhe pirunët, edhe pjatat, edhe pecetat… Nuk i përzienim, vëndet tona si të ishte koha me shi a me vapë, nuk i trazonim kurrë. n

Në furtunë a në ciklon,ne ishim rreth saj si zogjtë rreth klloçkës.

Gjithsesi ndër qindra a mijëra përralla dua të kujtoj njërën:

*

Na ishte një herë, që thoni ju fëmijë të dashur, që nuk thatë asgjë (kështu e niste përrallën e saj e shkreta) para shumë e shumë vjetësh, ndoshta njëqind a dyqind vjet më para, në fshatin tonë, u martua një nuse e bukur, e bukur, e bukur shumë nga një fshat tjetër.

Ajo ishte aq yll i këputur, sa fshati e fshatarët u befasuan me bukurinë e saj. Morën pjesë në dasmë dhe të gjithë gëzuan fshaçe.

U therrën e u poqën mishra e keca plot, (se dhe krushqit kishin sjellë mishrat e tyre) Kërciti kënga deri në mëngjes, u shtrua dreka me të gjitha të mirat, u derdh rakia lumë. Ta kuptoni fëmijët e mi, u gëzuan të gjithë si fshat, jo vetëm se nusja ishte yll , por ajo dukej e bukura e dheut. Me shtat të lartë, e hollë, syrin blu si deti, flokët topuz, pulpat e kembëve të rralla, beli unazë, buzët si burbuqe, vetullat gajtan,…

Po dhe i shoqi i saj, Spartaku, në mos ishte dhe ai një copë ylli. Ngjante si “Spartanët” e parë, dy metra djalë, me mustaqe e mjekër pikë të zezë, muskulos, i zoti i kalit e i shpatës, trim i tërbuar. Dasma vazhdoi e krisën dhe koburet nga gëzimi, i gjithë fshati qeshte e gëzonte me ta dhe njerëzit që nusja solli pas..të gjithë.

Të gjithë ne e shikonin mëmë Boçen me habi pa bërë “gëk” dhe me atë mëndjen tonë të shënjtë në heshtje e imagjinonim atë nusen e bukur me imazhin tonë.

Unë nuk duroja dot më dhe me sytë te goja e saj e ndërpreva në mes të përrallës:

– Mëmë,Boçe, a kishte emër nusja?

-Pusho! Duro…më mirë të mos kishte emër,- tha plaka dhe ndënji një cope here pa folur.Pastaj pyeti :

-Ku e lamë përrallën?

-Tek emri,- i them unë…

-Jo thotë ,-Lelua ,-tek Spartaku.

-Po më ndërpretë dhe njëherë,- më tha mëmë Boçia duke m’u drejtuar mua,- s’do ta dëgjoni deri në fund apo ta lëmë për nesër?

-Joooo, -thamë të gjithë njëzëri. Unë nga inati i them:

-Po nuk the emrin s’dua ta dëgjoj!

Të tjerët më panë me inat e më thanë:

– Pusho! Ti mos e dëgjo! Na i thuaj…mëmë Boçe na i thuaj!

-Mirë atëhere, ti “zuzar” pusho!- m’u drejtua mua.

-Ranë kambanët e gezimit , vazhdoi përrallën mëmë Boçia,-bam e bum zjarret që poqën mishrat ngelën gjithë natën prrush e flakë.

U ndanë njerëzit gjithëkush në shtëpitë e tyre me shpresë se ditët mbas dasme do ishin më të bukura e më të gëzuara, por nuk ndodhi ajo që pritej. Unë:

-Çfarë ndodhi?

– Po pusho mo i uruar,pusho, pusho, dëgjo! Po fole, nuk ua them,-tha mëmë Bocia. Ngela i turpëruar dhe këtë here. Përsëri gabova desha ta dëgjoja përfundimin e historisë shpejt. Ajo fliste ngadalë dhe e bente të gjallë rrefimin.

-Ditën tjetër që në mëngjes ranë kambanët e kishës si për kob (vdekje). Prifti At’Zaaharia, priftëresha vunë në alarm fshatin.

-O zot, o zot! Çfarë ndodhi?!- fola unë persëri.

-Pushooooo!- britën të gjithë.

-Pushooooo!- tha dhe mëmë Boçia.

-Ndodhi gjëma fëmjët e mi të dashur,

Nga dasma ishte helmuar gjithë fshati. Dasmorët; gra burra,fëmijë e nuse pleq e plaka ngelen me “brekë” në duar lart e poshtë dhilitiroi (helm).

-O zot o zot, bërtiste Zaahria.

– O zzzoooot, o zot,- bërtiste priftëresha.

Kaluan orë të tëra. Dhimbje barku dhe të gjithë nxirrnin vrer…..lart e poshte. Helm.

(As që bëhej fjalë për ilaçe a për mjekësi)

Zaharia, s’kishte fuqi të shkonte më çdo shtëpi e t’u thoshte disa këshilla praktike si të përballonin të keqen. Të zienin mëllagë, të pinin ujë e limon, të zienin gjethe dafine, leng rozmarine se ato porosi i dinin të gjithë, po u tha:

-Mos dilni për një javë nga shtëpitë, mos u takoni me njëri- tjetri, mos jepni e mos merrni…asgjë, lyeni banjat (nevojtoret) me gëlqere, hapni dritaret e te ajrosni shtepitë…

Merrni ujë nga deti e lani nderresat!

O zot, po e perjetonin keq fshaçe, nuk dinin si ishte gjëndja e gjitonit e mëhallës, të gjithë rënkonin ,të gjithë mallkonin nusen, dhendërin, dasmën.

Zaaharia i shkreti me brekë nëpër këmbë çdo dy orë bërtiste nga kambanorja:

-Mos dilni nga shtëpitë se do ja ngjisim njëri -tjetrit e kuptoni se ka rënë e keqja dhe po bën kërdinë!

Nga mbas dita e ditës të tretë u dëgjuan kambanët. Këtë radhë për vdekje.

-Asnjë të mos dalë!- bërtiste prifti,- po mësoheni o fshat, se nusje që pruri këtë gjëmë ndërroi jetë. Nuk rezistoi dot e mjera! T’ia bëni trupin me gëlqere edhe varrin, gëlqere gëlqere!

Atë do ta varrosin vetem djemtë e Nike, djemtë e Zërajve, pa e sjellë në kishë! Ajo solli sëmundjen, bashkë me mishrat e krushqe, ne s’na ka bërë vaki një gjë e tillë. Duroni, mos u afroni me njëri- tjetrin, është flamë!

Mos shkoni afër, as mbi varr, as në kishë mos u afroni! Fshati është i rrezikuar!

Fshati qante. Gjithëkush brënda në shtëpitë e tyre, i griu barku e te vjella,sëmundja bëri hatanë.

Të gjithë ngelëm të habitur.

-Mëmë Boçe,po si e kishte emrin nusja, – fola une se aty me kishte mbetur mendja mua, te emri i nuses.Ndersa ajo vazhdoi:

– Prandaj të bëni kujdes, kur sëmuret njëri nuk do rrini afër me të kurrë dhe asnjëherë. Shkoni lani duart se do hamë bukë tani.

-Emrin ia kam harruar,- tha duke u kthyer nga unë.

pJp

22. 4. 2020

USA.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.