Petraq Pali: “Vise dhe njerëz perëndie”


Fragment nga Libri “Shenime udhetimi e mbresa”


Në kalanë e Lëkurësit është bërë një gjë përrallore. Nga vetë
pozicioni i vendit kujton se je mbi aeroplan. Lartësi e madhe, deti nën këmbë, horizonti pa kufi, Saranda në pëllëmbë të dorës. Thua se vetë zoti e ka falë këtë mrekulli.
Mbasi soditëm këtë peizazh sa magjik aq dhe të mahnitshëm, kujtuam ato episodet e çetës kaçake të Lloi Stefanit. U ulëm në lokal, ku Misha si zot i vendit dhe mik i biznesmenëve të rinj gjirokastritë, na kishte rezervuar dy tavolina ku u sërvirën mjaft gatime deti dhe shumë lloj peshqish. Një shërbim shumë i kulturuar. Të dukej vetja sikur nuk ishe në Shqipëri. Dhe mendoj se po të kishte një qeverisje të mbarë do ishte çdo gjë në vendin e saj, por gjithë këto anomali që pëson vetë shteti nga këta politikanë, që kanë 13 vjet që gënjejnë, nuk e lënë të ndriçojë ky vend me ambjente si Lëkurësi e më bukur se ai. Po flas kryesisht për bregdetin që i janë falë nga zoti e natyra bukuri të magjishme.
Nga ora tre e mëngjesit lëmë lokalin, falenderuam të zotët dhe Misha, i cili pagoi të gjithë darkën e shpenzimet tona të asaj mbrëmje. Darka për të gjithë ne, nuk kushtoi pak. Me atë darkë do jetonte një familje pensionisti për katër muaj të paktën. Çmime të papara në krahasim me varfërinë. Po fundi atje venë biznesmenet. Ne këmbëngulëm të paguanim por ishte e pamundur, Ai nuk na la! E lamë që të takohemi në turizëm para orës 11.00. Ai do na hidhte me motoskafin e tij deri në Kasop, kurse atje, kemi Person e Deden, time kushërirë që së bashku me të shoqin, njeriun e mirë Spiro Kokën, nga Himara dhe me djemtë e saj çapkënë e të mrekullueshëm Bertin, e Elidonin kanë ngritur një qendër turistike të mrekullueshme. Do rrimë disa orë dhe pastaj do mendojmë ç’do bëjmë.
Unë zbrita nga hoteli më 10. 30 fiks dhe pas disa minutave mbërriti edhe Perlati e Vasua. Xhimi zbriti me të huajt në orën 11. 00. U përshendetëm me “Goodmorning” si zakonisht dhe ata porositën nga një limonadë e nga një kafe. Vera e mbrëmshme e kish bërë efektin më shumë tek Vasua, tek Perlati dhe tek unë se të tjerët nuk para kishin qejf të pinin mbi normë. Ndërsa ne si zakonisht e tepruam pak.

.

Dolëm përsëri në Liman, atje ku ishim mbrëmë, por sot me një ndryshim: do të ndahemi. Perlati do kthehej për në Tiranë, ku e presin Donika me djemtë. Të huajve u bëri shumë përshtypje fakti që kishim makinë në dispozicion dhe jo vetëm që nuk paguam, por as edhe njëherë nuk la të paguanim naftën.
– Nuk e konceptojmë dot! – thanë amerikanët. Bile Xhimi këmbënguli që unë duhet të likujdoja Perlatin. U them :
– Po harruat, që ne zakonin e mikpritjes e kemi më të mirin në botë?! Harruat ju se ne edhe fukarenj, kur vjen miku therim kokoshin e vetëm të shtëpisë?! Harruat ju që këtu është vendi me vulë?! Harruat ju që ne jemi bij të atyre prindërve që historikisht me mikun janë sjellë si mik e me armikun janë sjelle si armiq?! Prandaj Perlat Cakua është nga ajo derë që siç thotë populli “Tek ka rrjedhë do pikojë”. Ta paçim borxh, o Perlat Cako.
– Kur të vi në Amerikë do ma shlyesh borxhin – tha me të qeshur.
– Ou! Për dy minuta do ju them një histori të shkurtër, siç më thoshte mua i ndjeri Kamber Aliko, ish Drejtori im për 13 vjet rrjesht. Ishte një njeri i rrallë, fantastik, i zgjuar, burrëror, trim, besnik e i ndershëm. Shkonim me shërbim nëpër Labëri. Ai sa herë i prishej makina, gazi 67 i kohës së Stalinit ose, kur kishte Warshavën e vjetër më thoshte: “Petraq, mos m’u largo se do ikim deri në Kote”, në Gjorm, Kuç, Sevaster a si të qe rasti. Ne shkonim me punë fshat më fshat. Unë shkoja me shërbim nëpër kanale, rezervuarë, stacione pompash për ujitje, qoftë si teknik por edhe shpesh si shofer i drejtorit, jo me makinë por me motorrin e ndërmarrjes. Ndodhte shpesh që ndonjë punëtor a fshatar, edhe kur s’ishte punëtor në ndërmarrje thoshte: “Shoku Kamber kisha qejf të vinit nga shtëpia për një kafe” Drejtor Kamberi disa herë kthehej, disa herë bënte sikur s’dëgjonte. Po kur donte të shkonte, ai e njihte mirë kush e thërriste, “Me gjithë qejf.” – i thoshte dhe gëlldum e brenda… I thoja “Shoku drejtor, shkoni ju, unë po ju pres.” “Ikë more dreq! Kështu i lini miqtë ju qeparotasit, në rrugë, se ne nuk i lëmë?!” “Mirëpo – i thosha – unë nuk i njoh” “S’ka rëndësi – më thoshte – i njoh unë dhe bukën që do hamë e kam çuar më parë unë…??” Pyesja veten: “Çdo të thotë më këtë, po gjatë bisedës me arançatat e rakisë përpara, se në Labëri çdo kush ka arançatën para, atje mësoja se me të vërtetë Kamberi kishte çuar bukën më parë”, kështu që, edhe unë me Perlatin në të tillë pozicion jemi! Ne jemi miq!
Ndahemi me Perlatin, i cili e njihte mirë Kamberin, bile e kish edhe mik dhe bashkëluftëtar me të atin e tij, Karafil Cakon.
– Unë e Perlati kemi pire kafe e raki me Kamberin disa herë në ato kohëra, apo jo Perlat?
– Lëre! – më thotë – jam bërë kaq dhe njëri më fantastik se atë burrë nuk kam njohur. Ai ishte shumë i zgjuar. Humori i tij qe dhe do mbahet mend…
– Aman të keqen thuaju atë me Qirjaqin – i them, – se ka kohë, për 20 minuta do hidhemi në Kasop me motoskafin .…
Dhe Perlati për të qëndruar edhe pak çaste me ne thotë:
– E tregoj, po Vasua të mos ua përkthejë miqve se është pak banale, por e vertetë dhe ka humor të hollë.
– Perlati ishte fantastik për barsaleta dhe vazhdoi:
“Aty nga vitet 1970-75, nuk e mbaj mend mirë vitin, shërbeja si mjek stomatolog në Myzeqe. Unë në Pish –Poro e Donika, ime shoqe, në Novoselë. Ishte një vit i keq, shira të papara, atë vit. Lajmëroi Tepelena me telefon urgjent, se shtrati i lumit Vjosa po rritej në mënyrë të rrufeshme dhe për disa orë edhe Myzeqeja do të përmbytej. Dhe ashtu ndodhi. U morën masa, u evaukuan fshatrat, ushtria, populli u mobilizua për këtë gjëmë. Uji kish aritur parametrat maksimale. Doli mbi nivel të urës së Mifolit. Komiteti i Partisë, Komiteti ekzekutiv, ndërmarrjet, shkollat, ushtria, dolën të ndihmojnë popullatën. Në kulmin e asaj mynxyre dhe llahtari, kur populli ishte në gjëndje të mjerushme se po shkatërrohej me themel, të gjithë drejtuesit e rrethit bënë një mbledhje urgjente për planin e ndihmës. Pa mbaruar mbledhja nga mesi i sallës plasi gazi. Sekretari i parë ishte Sulua i Bahollajve, i cili ishte edhe prepotent edhe i ashpër, ulërin: “Pse qeshni kur situata është më keq se lufta?! Më thoni pse qeshni?”, dhe u turr në mes të sallës ku ishin burrat e nderuar Kamber Alikua, Sihat Toza, ish nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv dhe ca shokë të tjerë, të gjithë veteranë dhe drejtues ndërmarrjesh. Unë isha afër të tridhejtave, dhe ata ishin tek të 55-ata. “Pse qeshni, më thoni? Pse qeshni? Do marr masa”, këmbëngulte Sula. Mbasi salla u përpi nga një qetësi varri, Kamber Alikua i thotë: “Unë bëra një shaka dhe këta nuk e mbajtën dot të qeshurën…”. “Ç’shaka ishte ajo, më thuaj se do marr masa. Kohë për shakara të duket kjo?! Si nuk u vjen zor?!”. Aherë Kamberi nuk duroi dhe, për t’i ulur pak kapriçon e sëmurë Sulës i thotë:
– Ka lidhje me përmbytjen por është ca banale…
– Tregoje – ja preu Sula.
– Po u thoshja shokëve – vazhdoi Kamber – se kur të vemi në Novoselë, ku tani lumi po bën kërdinë e ne do shkojmë të bëjmë sehir, se është fuqi madhore e s’e mbajmë dot, po pamë një njeri të mbytur me atë “mikun” përpjetë, ta dini mirë se ai është Qirjaqi, përgjegjës i tregëtisë në Novoselë.
Të gjithë e dinin se Qirjaqi ishte merakli me gratë dhe në sajë të pozitës nuk linte pa vajtur edhe pas shitëseve. Plasi gazi, Sula edhe e gjithë salla. Kjo është historia e Qirjaqit – tha Perlati.
Ne u mekëm nga gazi. Te gjithe qeshin me ulërimë, haaahaaa …!
Perlati është i këndshëm në tregimin e barsaletave dhe çdo ditë na thoshte nga një të bukur dhe ne qeshnim me shpirt. U përshendetëm me mall, e falenderuam dhe Miss Katrina i thotë, që më vjen keq që largohemi e ndahemi. Unë ruaj konsideratë të veçantë për ty, qoftë si njeri, qoftë si fisnik. Të faleminderit.
E përshendeti edhe Stivi edhe të gjithë. Unë isha i fundit që u përshendeta me shumë mall duke i uruar shumë të fala Donikës e fëmijëve dhe duke i lënë amanet që të mos e harrojë Qeparonë.
– Mos ki merak – më thotë, – e mirupafshim do të flasim si zakonisht në telefon. – Unë flas me Perlatin shpesh se jemi shokë edhe miq të vjetër.
Atij edhe mua na rrëshqitën lotët nëpër faqe!
– Si thua – i them skafistit – t’i bëjmë një telefon Bertit apo të shkojmë ashtu papandehur për surprizë.
– Jo, mos e merr në telefon. Kur vete ashtu papandehur është më e bukur pritja.
– E ndjej detyrim shpirtëror të shkoj sepse martuan Elidonin, me ftuan familjarisht, por unë s’munda të shkoja atëherë se s’ka as dy-tre muaj që është martuar. Me nënën e tij jemi si motër e vëlla, jemi kushurinj të dytë. Kur me vdiq babai në Korfuz, Persua, i shoqi, fëmijët ndenjën dyzetë ditë me ne, duke pritur njerëzit që vinin për ngushullim. Unë dua ta uroj Elidonin edhe Person. . !
Dorëzojmë pasaportat në policinë kufitare. Mysafirët paguan nga një 50$ për shkeljen e limanit si të huaj, na kontrolluan edhe në çanta dhe zumë vend në motoskaf.
– Aman – i them skafistit- mos na nxirr jashtë ushqimin e Lekurësit. Ec avash që të mos vjellin këta, se mua nuk me zë as shejtani, pastaj ata duan të shijojnë edhe udhëtimin. – Skafisti ndezi të dy motorrat “Jamaka” dhe thua se u tund gjithë Saranda nga gazi i tepërt që i jipte mjetit në gjëndjen normale. U lidhëm me rripat e sigurimit, u përshëndetëm me ata që ndodheshin në liman, policë e civilë, N XH e disa të tjerë, që dolën të na përcillnin dhe fluturuam drejt ishujve të Grekut.
Në këtë vend unë jetova për pese vjet si emigrant dhe ruaj kujtimet më të mira dhe për kohën që kalova, por aq më tepër se atje varrosa babanë kundër dëshirës sonë. Arsyeja ishte se në ato ditë të 12 shtatorit 1994 të dy qeveritë, ajo e jona dhe ajo Greke, shpallën gjëndje të jashtëzakonshme se ishin dënuar gazetarët fillo-grekë të Omonies. Kështu që mbyllën kufijtë dhe ne u detyruam, kundër dëshirës e amanetit të tij, ta varrosnim aty. Ua kërkuam me forcë autoriteteve të Korfuzit, në Polici e deri tek Dhimarkua që me shpenzimet tona, pa cenuar askënd, të na lejohej të marrim anijen e bllokuar në liman, po qe e pamundur. Në atë kohë operacioni fshesa ishte i pamëshirshëm. Familje të tëra i dëbonin, qofshin këta himarjote, vurgare, dropollitë dhe nga gjitha krahinat shqiptare. Nuk dua të harroj, që me gjithë terrorin e egër të atyre ditëve nga policia greke, miqtë e mi e të tim eti vinin të shihnim tim atë në spital deri në ditën e vdekjes. Çdo ditë e rrezikonin veten dhe familjen e tyre nga një dëbim i dhunshëm i astonomisë që na piu gjakun. Nuk rri dot pa kujtuar Llaqi & Vaso Gjonin familjarisht, Gogo Vjeron, Sovjet Vjeron, Petro Merxhanin me të shoqen, Liljanën, djemtë e Liso Lanit, Jano Velin e Peçin, disa miq nga Korça, Alekua, nga Tirana Spirua, Luli, e shumë e shumë bregas, që nuk pyetën fare po bënë nderet e zakonet. Ata nuk na u ndanë dhe erdhën me ne e protestuan që trupin e tim eti ta çonin në fshat për ta varrosur… Por prapë se prapë kjo nuk vlejti asnjë gjë dhe ata na e lanë plagë në shpirt. Ajo ngjarje ka lënë gjurmë sa as dheu s’do ma tretë. Më pas im vëlla Stefua, kur unë isha në Amerikë, mbas tre vjetësh e hoqi dhe i rivarrosi eshtrat e tim eti në fshat ku është edhe sot.
Kalojmë në ujërat e mesokanalit, siç themi ne, që janë edhe ujëra neutrale midis dy shteteve dhe bluja e detit ishte kaq e thellë sa shiheshin qartë edhe myshqet që ndodheshin në thellësi të detit. Shpejtësia e motoskafit, e cila ishte pak më tepër se normalja dhe shkuma e bardhë që linte nga mbrapa, të llahtarisnin dhe mendonim në çast fundin e botës… Po i afroheshim edhe pak Kasopit.
Më kujtohet se ne punuam gati pesë muaj që të ndërtonim hotelin e Persos. Aty nuk bëmë vetëm punimet e betonit por edhe suva, çati, pllaka, bordura, trotuar, depon e ujit, shkallët e gjithçka. Persua ka bërë një mrekulli. Në fillim ja vuri emrin “Aulona” lokalit, po zilia dhe inati i grekëve e detyroi të ndërronte emrin dhe e ka pagëzuar “Don Café”, në emër të Elidonit. Hoqi keq Persua dhe fëmijët me grekërit që i nxirrnin lloj-lloj pretekstesh “mos veni manjetofonin me muzikë shqip¬tare”, “mos qasni shqiptarë, në bar”. Shkonin dhe flisnin keq tek turistët, duke u thënë se ata janë njerëz të ndyrë, “mos shkoni atje, se ata janë shqiptarë e do ju helmojnë. Ata pijet e ushqimet i marrin nga Shqipëria e janë të qelbura e të mbetura”. Por megji¬thatë Elidoni e Berti s’e çanë kokën nga intrigat e tyre. Persua gatuan shkëlqyeshëm, ulën çmimet e ushqimeve, të pijeve deri në një cak që grekët u tërbuan, ngaqë lokali i këtyre ishte plot. Atë ecuri kanë dhe sot mbas disa vjetësh, se edhe mbreti që është mbret shkon atje ku shërbehet thjeshtë edhe çmimet janë të kënaqshme. Pastërtia është shëmbullore, shërbimi i kulturuar e model, paguajnë detyrimet e taksat e shtetit, kështu që ata u marrin të keqen. Janë për së mbari me vetura e me motoskafe për turistat që urdhërojnë në hotelin e vogel tre katësh të Persos. Kanë blerë edhe shtëpi në mes të Athinës, edhe në Himarë, edhe në Vlorë e Qeparo! Ama shqiptari është i zoti kudo dhe këtë mësim e panë grekët të cilët kanë jo vetëm urrejtje për ne shqiptarët, por kanë edhe smirën e hilenë… Shqiptari po bën ekonomi dhe janë mijëra që kanë hapur biznes dhe kanë blerë shtëpi në Athinë e në gjithë Greqinë.
Ata janë nga gjithë Shqipëria e greku vazhdon t’i teloporisi. Asnjë dokument nuk u jep, i griu duke i vjedhur për letra e për dokumenta dhe shteti ynë hesht në harmoni e në miqësi me ata që s’bëhen kurrë miq.!
Persua është një zonjë e madhe. Lidën, të bijën e ka në Athinë. Ka blerë shtëpi dhe gjatë verës vjen e shërben në hotelin e tyre. Ata e kanë të tre biznesin. Unë shkoja shpesh kur isha në Korfuz, e sidomos kur ime shoqe kishte shkuar në USA.
– Arritëm – thotë Mjeshtri….
Ankoruam Skafin në mikro-limanin, ku ishin parkuar dhjetra skafe, grekësh e të huajsh. U bëmë shenjë dy taksive dhe siste-muam valixhet. Misha i ka shumë shokë djemte e Persos, Bertin dhe Elidonin.
Pas pak minutash doli tabela “Don -Cafe” dhe manjetofoni këndonte këngën e Neço Mukos /Vajzë e valëve…? / Zemëra s’ja mban… mbi një gur anës së detit/ Qan e zeza, qan e mjera, qan/. Këtë herë manjetofoni buçiste dhe s’pyeste se ç’thoshte greku. Ishte ora që ende njerëzia s’kish mbaruar plazhin, se mbas orës tre nuk lejohej muzikë se flinin pushuesit. Ja Persua, ime kushërirë.!
23
Një natë e paharruar në Kasop● Kapedanët e Qeparoit ● Kujtim i hidhur: “Pse flisni shqip në autobus”?! ● Në nderim të tim eti e të Dr. Nestor Polimerit 

About Post Author