Petraq Risto-Kohë tjetër…


Nga poeti i njohur Petraq Risto zgjodhëm poezin :”Kohë tjetër…” të publikuar .

Petraq Risto

  · 

Kohë tjetër…

——-

Dolën nga moda makinat e shkrimit, stilografët, librat prej letre

Një ushtri elektronike po vjen: zymbyla blu

Dhe ne robërit e tyre me pikëpyetje në vend të helmetave

Marrim urdhërin: Gati-tu!

Përgatisim flotiljen prej letre: Lapsat-direkë, vela-fletët poetike

Të gatshëm ekuipazhet e poetëve drejt Bermudës elektronike.

Përpiqemi të mos dalim mode, lodhemi në pasworde

Shfletojmë librat e vjetër me pluhur alergjik

Ca flasin nëpër dhëmbë për fundin e kësaj bote: Apo-ka-lypsin kibernetik.

Marr një libër të vjetër: tërfilin katërfletësh kam fshehur

Për ta shfletuar ngjyej mollëzën me pështymë

Po ku është tërfili katërfletësh…Ka humbur fati im?

Kindle i-phon i-pod…

Mos edhe tërfili i ka ekrane gjethet?…

Tërfili, tërfili mos është blu?

Rob nën helmetat e pikëpyetjeve…

Po tërfili më shfaqet i tharë mes fletëve: këtu jam, këtu…

Brooklyn, 12 gusht, 2013.

About Post Author