Petro L. Sota-Bukuri Interesante


Petro L. Sota

BUKURI INTERESANTE.
———————————-
( për miken L.)

Interesante ty të bënë, bukuria që ke,
Me sytë kristalor e qerpikë të harkuar,
E virgjër pa mëkate, ndoshta ashtu je,
Më dukesh si një enigmë e pa zbuluar.

Enigmë, që sekretet fshehur ke lënë,
Nëpër qiell të kërkojë, nuk e di cila je,
Herë hënë e plotë e herë si e ngrënë,
Që ma bën me sy, duke kaluar mbi re,

Ndonjëherë ballin tënd kur e shoh,
Si yllnajë e largët, që është duke afruar,
Me cilën të krahasoj, se mirë s’të njoh,
Je një ëngjëll, apo një Evë e penduar.

Sinjale më vijnë, nga vështrimet e tua,
Më duken si ato, nga Marsi të dërguar,
Si sinjale alienësh, kur vijnë tek mua,
Më duhet pak kohë, për t’i dëshifruar.

Mendo një çast, symbyllur kur të jesh,
Me filxhanin në dorë, kafen të shijosh,
E imagjino, aty pranë, dikë sikur të kesh,
Me dorë të përkëdhel, ngadalë në kofshë.

E tek buza, do të mbesin nga filxhani pak,
Nga filxhani i mbushur plot me shkumë,
Kur aty të ndjesh një aromë si zambak,
Mos e mendo, që aty mund të jem unë.

Dhe pije kafenë, sikur je duke e pritur,
Atë, që në ëndërr, shpirtin t’ka rrëmbyer,
S’të ka premtuar dhe prandaj s’ka arritur,
Por mos e mendo, se nuk të ka gënjyer.

Vetëtima, s’mund të vij vetëm nga rrufeja,
Por dhe nga një buzëqeshje sado e vogël,
Vargun më të bukur, për ty sikur të gjeja,
Do të ëndërroja pastaj, për çmimin Nobël.

Petro Sota 10 nëntor 2022

About Post Author