Petro L. Sota-DITË TË TRISHTUARA


Petro L. Sota

DITË TË TRISHTUARA,
—————————————–

Mëngjezet të hirta, vinin dhe shkonin,
Si, në romanet e Honore de Balzak,
Tek pija kafe mendimet më trishtonin,
Kur shikoja përball çdo ditë një plak.

Me sy të përlotur, i heshtur kafen pinte,
Dhe pastaj ikte i vetëm, rrugës ngadalë,
Tek parku, pranë varreve në një stol rrinte,
Me orë të tëra pa shkëmbyer asnjë fjalë.

E gjatë i ngjante rruga, deri tek shtëpia,
Me atë hapin e lehtë, ecte si përhera,
Dridheshin këmbët, i sëmurë nga pleqëria,
Kur arrinte tek pragu, mbahej tek dera.

Kish kaluar të tetëdhjetat, ish i moshuar,
Fëmijë kishte rritur, emigrant gjithë jetën,
Në vetmi e kishin lënë, tani si të harruar,
Por loti tek syri, ja dinte të vërtetën.

Dhe çdo ditë ai bënte po të njëjtën gjë,
Tek e shihja ashtu, mengadalë kur vinte,
Por një ditë nuk erdhi, nuk e pashë më,
Dhe stoli ishte bosh, tek vëndi që rrinte.

Përherë kur rrinte, pranë varrezave aty,
I heshtur gjithmon për diçka mendohej,
Dhe zotit i lutej, ta merrte shpejt që aty,
Në varr me të shoqen, donte të bashkohej.

About Post Author