Petro L. Sota-E bukura Prishtinë!


Petro L. Sota

 

————————————-

Si zonjë, që pret e përcjell miq plot,

Me traditat fisnike, si të parët tanë,

Malet dhe fushat, të zbukurojnë sot,

Që të rrinë rreth trupit, si një gjerdan.

Dëshira me sjell, aty në viset e tua,

Edhe malli që kam, për ty gjithashtu,

Që krenarinë tënde, ta shoh sot dua,

Me nderim e respekt, i përkulur në gju.

Për gjithë bijtë e tu, që për lirinë ranë,

Për ata, që s’kursyen gjakun dhe jetën,

Për foshnjat në djep, që tmerrin panë,

Për nuset kreshnike, që të veja mbetën.

Për nënat kosovare, që me lot i bekuan,

Dhe i nisën djemtë, për një Kosovë të lirë,

Me flamurin kuq e zi, që ata ëndërruan,

Një shekull të tërë, si ëndërr e dëshirë.

Që zinxhiri i tankut, të mos shkel kurrë,

Kufoma fëmijësh, si në shekullin njëzetë,

Sa dhe qielli u nxi, por dhe toka u tkurrë,

Nga klithmat e tyre, për hakmarrje thërret.

Me shqiponjën, të vendosur në flamur,

Si etërit e tyre, shumë kohë më parë,

U betuan po ashtu, si në Prizren dikur,

Për bashkimin e gjithë kombit shqiptar.

Tufa me lule, pranë çdo varri dua të ve,

Për ata që çdo ditë, për liri ëndërronin,

Sepse liria, që ata sollët, e lehtë nuk qe,

U pagua me gjak, që fëmijët ta gëzonin.

Të vështroj, që hapat përpara ke hedhur,

Si kreshnike, që fisnikëria në ball të ndrin,

Me vellon e trimërisë, që vetë ke zgjedhur,

Me viganët e lirisë, e ndryshove historinë.

Vjeshta i ka shtruar gjethet në nëntor,

Që si tapete plot ngjyra, në trotuare rrinë,

Një kryeqytet fisnik, me njerëz paqësor,

Të dua si Tiranën, edhe ty moj Prishtinë

Të zezat netë ikën e dielli përshëndet,

Prandaj i gëzuar, shoh qiellin e Kosovës,

Më bëhet si një zë, se dikush po më flet,

Tek shoh statujën e Ibrahim Rugovës.

Këtë burrë fisnik, atdhetar dhe paqësor

Ashtu, si edhe shumë të tjerë kosovarë,

Ishin pishtar, në netët e acarta me borë,

Në rrugën e lirisë e bashkimin kombëtar.

Petro Sota 14 nëntor 2022