Petro L. Sota-ELEGJI KOSOVARE


Petro L. Sota

 

ELEGJI KOSOVARE

——————————

Edhe muzgjet u tronditën,

kur shikuan se çfarë ngjau,

Nga taborët me çetnikë,

Por shiu prapa, gjakun lau.

Edhe retë ulur po rrinin,

Atë mënxyrë, duke e parë,

Prandaj hënën, s’po e linin,

se dhe ajo, qe duke qarë.

E ngjyrosur ngjante toka,

Nga plagët që po kullonin,

Dëgjoheshin, kudo klithma,

Klithma grash, që vajtonin.

Nga shtëpitë, dilnin flakë.

Klithnin foshnjet në djep,

E përmbysur, rrinte hëna,

Dhe po qante, përmbi plep.

Një populli, që padrejtësisht,

nga shteti amë e ndan,

Ashtu si në mesjetë,

e shpërngulën dhe e vranë.

E vulosën padrejtësinë,

me turpin, që vula mban,

Fuqitë e mëdha dikur,

dhe me Europën si putanë.

Padrejtësinë, e vulosën,

si një akt pabesie,

Lakenjëve ja u dhanë.

Si shpërblim besnikërie.

Dhe i ndryshuan kufijtë,

Me gjak duke e vrarë,

Gjithë popullin me terror

në gjithë truallin kosovar.

E shkelën, e dhunuan,

pa patur asnjë mëshirë,

Me akte më barbare,

historinë për t’ia fshirë.

Dhe koha e mesjetës,

u kthya prapë sërisht,

Si në netët shekspiriane,

kur vriteshin pabesisht,

Dhe dimrat më të egër,

për këtë popull vijnë,

Ndërsa korbat e zeza,

gjithë qiellin e nxijnë.

Shqiponja e brengosur,

e plagosur, e sëmurë,

Po e mbanin të fshehur,

kosovarët në flamur.

Nëpër festa, fshehurazi,

e nxirrnin me mallëngjim,

Që ta mbanin në kujtesë,

sepse ishin në pushtim.

Shumë vite do t’kalonin,

pa humbur asnjë shpresë,

Por shqiponjën në flamur,

e mbanin në kujtesë.

Dhe kur lindte foshnja,

në një djep kur flinte,

E gëdhendën shqiponjën,

që tek djepi të rrinte.

Me shqiponjën foshnja,

Rritej në errësirë,

Ëndërronin që të dyja,

të fluturonin të lirë.

Por, s’mund të ikte nata,

nga errësira pa u ndarë,

Do të zgjohej nga gjumi,

vetë populli kosovar.

Që në kujtesë ta mbanin,

në gjumë, mos t’i vinin,

E ruanin si kreshnikët,

dhe nën flamur po flinin.

Dhe netët më të errëta,

sado t’gjata të jenë,

Nga gjumi do të zgjohen,

si lenë ëndërrat të flenë.

Nën një terror të zi,

s’mund ta mbash përherë,

Një popull me virtyte,

që ka besë edhe nder.

Por kujtesa nga gjumi,

i zgjoi dhe i ngriti,

Nga djepet e foshnjave,

del flamuri e i thërriti.

Dhe mbi supet e tyre,

peshë të madhe po mbanin,

Një ëndërr shumëvjeçare,

të bashkohen me vatanin.

Dhe u ngritën si heronjë,

Flamurin në dorë marrin,

Dhe gjakun lumë derdhën,

Bashkë me Adem Jasharin.

Ndërsa bota po vështronte,

Dhe prandaj më nuk priti,

Kur tanket vrisnin foshnjet,

i gjithë globi u tronditi.

Si viganët ata u ngritën,

që këto foshnje t’i mbronin,

Se s’kërkuan gjë tjetër,

Veç lirinë po kërkonin.

Por, liria s’të vjen vetë,

Me gjak trimash e mbuluan,

Prandaj historia për t’a flet,

Se me gjak, vetë e shkruan.

Petro Sota 13 tetor 2022

About Post Author