Petro L. Sota :Jam pranvera


Petro L. Sota

Jam pranvera

S’po u besoja, syve të mi,
Kur po trokisje, aty tek dera,
Dhe po më thërrisje, vetë ti,
Hapma derën:- jam Pranvera…

Sa u gëzova, kur të pashë,
Me lule bajame, ishe veshur,
Si pranverë, e kthyer në vashë,
Dhe më vije, duke qeshur…

U mahnita dhe s’po të flisja,
Nga syri derdhet, një pik lot,
Ndoshta ndryshe, po të prisja,
Jo kaq të bukur, si erdhe sot…

Nuk e dija, që kështu do vije,
Të njëjtën ditë, me pranverën,
Më flet me zë, prej dashurije,
-Jam Pranvera, hapma derën…

Me gjithë zemër, derën e hapa
-Mirëserdhe, të thashë pranverë,
Me xixëllonja, do të vij dhe nata,
Do ndriçojnë, mbrëmjet përherë…

Ti nga lulet, ndryshim nuk ke,
Gjithçka ke marr, nga kjo stinë,
Dhe muzë për mua, përherë je,
Ma ëmbëlson, gjithë poezinë…


About Post Author