Petro L. Sota-S’duhet të mendoj për asgjë


Petro L. Sota

S’DUHET TË MENDOJ
PËR ASGJË.
———————————–

Vitrinat, ndriçonin si asnjëherë,
Një bionde, rrugën ma preu aty,
Kur këmbana ra, të tretën herë,
Ktheu kokën e më shkeli një sy.

Pastaj iku, m’u fsheh në turmë,
Dhe nuk po e shikoja, më diku,
Ashtu si hijet, që s’lenë gjurmë,
Më humbi edhe ajo gjithashtu.

Ishte ora e thirrjes për meshë,
Besimtarët, po hynin një nga një,
Ndërsa unë po kërkoja në shesh,
Ndoshta, mos e shihja prapë atë.

Në kishë, s’kishte hyrë, e dija,
Duke ecur në trotuar vazhdoja,
Po më ndiqte nga pas vetmia,
Prandaj, unë atë, po e kërkoja.

E kërkova, duke bredhur kot,
Pa e ditur, se ku kishte shkuar,
Trotuaret, qenë mbushur plot,
Krishtlindja, ishte duke u afruar.

Me atë vështrim sensual ajo,
Me gushën e bardhë zbuluar,
Mund të linte pa mend këdo,
Prandaj isha, duke e kërkuar.

E kërkoja, që të largoja vetminë,
Por e dija, se s’mundej askush,
Asnjë flokëzezë, apo bjondinë,
Boshllëkun që kisha, s’ma mbush.

U ktheva, nga bulevardi tjetër,
Mbrëmja po vinte, duke freskuar,
Hyra në kafenë, antike të vjetër,
Aty pak kohë, për të kaluar,

E hodha vështrimin një për një,
Të gjithë klientëve, nga një sy,
Një thirrje e shpirtit, më fliste pa zë,
-Shiko mirë, se mund të jetë aty.!

Fiksime të kota, nga truri i lodhur,
Shfaqen si film, me pamje të gjalla,
Raste, që mund të kenë ndodhur
Por mua më ngjajnë si përralla.

Kamarierin, për kafe e porosita,
Më vështroi, me buzë të mbledhur,
Ma pruri shpejt, shumë nuk prita,
Duke ecur, si një kalë i tredhur.

Po vështroja, me kafen e zezë,
I ulur, pranë xhamit pa ngjyrë,
Për çudi, dëshira m’u ndez,
Për ta parë, bionden në fytyrë.

-Mendime të kota,- vetes i fola,
Po ngjaja, si një Donzhuan,
Më kapi vetmia dhe që aty dola,
Këmbanat prapë, atë çast ranë.

Ç’makth më kapi, e s’më lëshon,
Hija e një gruaje, trurin shpërthen,
Me taka trotuarin, godet kur kalon,
Si erë dimri, që shallin të rrëmben.

Edhe kafen, e lashë të pa pirë,
Dhe u largova, për ta harruar atë,
Kjo mbrëmje sonte, duhet fshirë
Dhe s’duhet të mendoj, për asgjë.

About Post Author