Petro L.Sota :Shkumbini


Petro L.Sota
( poemë )

Më trokasin përherë
disa kujtime,
që mua më shkundin
nga zgjimi,
Më del si në ekran,
fëmijëria ime,
dhe rrjedh si ujërat,
që sjell Shkumbini.

S’më kujtohet,
të jem ndalur diku,
në rrugëtimin tim
përmes shtigjeve,
Por dhe vitet
kanë rrjedhur gjithashtu,
si ujrat që përplasen
midis dy brigjeve,

Më lidh shumë,
me këtë lumë dhe mua,
që gjithë jetën
një plagë më ka mbetur,
Një plagë,
që kurrë nuk m’u shërua,
por mbeti në kujtesë,
e strukur, e fjetur.

Dhe gjithë jetën,
kjo më ka ndjekur pas,
nëpër ëndërra më dilte,
porsi djalli në lumë,
Por Shkumbini
për këtë s’mund të flas,
se vinte në dimër,
me baltë dhe llumë.

Sikur të kishte djallin
në bark ai vinte,
me drurët që shkuleshin
kur frynte era,
Disa netë gjithë fshatin
pa gjumë e linte,
dhe baltën kur ikte
na e linte tek dera.

Dhe ndodhte kjo gjë
shumë herë në vit,
që në fshat vërshonte
e bënte si kënetë
Fshatarët mundoheshin
t’i bënin një prit,
por ai me rrëmbim
nëpër fshat rrëshqet.

Në breg vinin fshatarët,
dhe vështronin lumin,
me sy të pikëlluar
me duart në xhepa,
Edhe hëna netëve
e kish prishur gjumin,
dhe vështronte e heshtur
sipër mbi plepa.

Shkumbini e shikonte
këtë pikëllim,
në sytë e të gjithëve,
të vegjël e të mëdhenj,
Por, fajtor bënte shirat,
me rrëmbim,
që shkulnin e rrëzonin
plepa dhe vgjenjë.

Kështu fëmijëria ime,
dimërat i kaloi,
ndërsa prisnim me gëzim,
stinët e tjera,
Kur çelnin të gjitha pemët,
lulëzonte dhe ftoi,
qetësohej dhe Shkumbini,
kur vinte pranvera,

Por pa dalur mirë dielli,
herët në mëngjes,
të gjithë fshatarët,
pranë tokave i gjeje,
Vinte një fllad i lehtë
nga ” vgjenjët e rrufesë “,
dhe qielli buzëqeshte
me ndonjë fjollë reje,

Të dukej se gjithçka
e shihje për herë të parë,
nuk ngopej njeriu
me bukurinë si përrallë,
Buzë pishës e pranë lumit
fshati im Kular,
ta mbushte shpirtin
me lumturi dhe mall.

Vraponim buzë lumit,
për mëllenja dhe luanim,
se kush nga ne
do vraponte më shumë,?
Një grronë më të thellë
në breg e kërkonin,
dhe bënim gara
për t’u hedhur në lumë.

Eh, Shkumbin, Shkumbin,!
nuk ta kishim frikën
kur ti rridhje i qetë,
Por, kur vije,
gjithë llum
dhe tërbim,
sikur e kishje brënda,
ti djallin vetë.

Prandaj ti ndonjëherë,
në qetësi kur kaloje,
pabesisht,
diçka tjetër po kërkoje,
thellë në një grronë,
fshehur rrinte djalli,
dhe aty brënda mbeti
dhe mësues Xhemali.

Eh, Shkumbin, Shkumbin !
mësuesin e ri
ti e mashtrove,
ja mbylle me dredhi,
të dy sytë,
në thellësi e dërgove
dhe prandaj,
mësuesi u mbyt.

I gjithë fshati në heshtje,
e qau atë me lot,
pranë plepit të madh
buzë zallit,
Kanë kaluar shumë vite,
por ka mbetur edhe sot,
aty plepi,
si ” Plepi i Xhemalit.”

Edhe varrin me baltë
ja mbulove
Shkumbin,
kur erdhe papritur
një natë me rrëmbim
Ne shpresuam
se ndoshta ti na harrove,
por të pamë vetëm në mëngjes,
kur me ujrat e tua,
brënda në shtëpi,
na bllokove.

Por,
dhe shtratin e Gjeçit,
që në lumë peshk zinte,
e shkatërrove,
me dallgët dhe turbullirën,
që vinte,
edhe atë të birit,
copa-copa e hodhe tutje,
larg,
nga kasollja e Beqirit.

Por,
edhe “vaun e xha Gaqit”
e bëre si gërronë,
aty ku qerret me qetë
lumit kalonin,
Ndërsa baraken e xha Prendit,
e shkatërron,
po aty,
e mbyte dhe pelën,
e xha Trifonit.

Pak gjëra ne dinim
për ty Shkumbin,
këtu në fshat,
kur pranë nesh kaloje,
Që ishje,
kaq shumë i gjatë
e mësuam më vonë
nga malet e Vajmarës buroje
dhe derdhesh
diku nga ” verriu i thatë “.

Ke miliona vjet,
që ecën,
nëpër fusha dhe lugina,
S’ta ka prerë askush ty rrugën,
as me gurë,
e as me turbina,
në rrjedhën tënde ke shkuar,
herë-herë i qetë,
por edhe i zëmëruar.

Eh, Shkumbin, Shkumbin, !
të bënë të pamposhtur fuqia,
s’ta ka ndalur asnjë,
rrjedhën tënde dredha-dredha,
kanë heshtur para teje,
ministrat dhe qeveria,
dhe nuk arritën dot,
që të qëllonin me predha,

Dhe ti, të gjitha betejat,
me fshatin Kular i fitove,
e përmbyte,
dhe të gjithë fshatarët,
I largove,
me lot duke qarë,
të ngarkuar plaçkat në qerre,
që tërhiqeshin zvarrë.

Fëmijët,
të kapur për dore,
që ecnin përpara,
dhe gratë,
me të vegjëlit në gji,
në baltën që lumi,
kishte lënë nëpër ara,
që qanin papushim,
dhe rrotat e qerreve,
ecnin me rënkim.

Po iknin,
po iknin të gjithë,
nga trojet të përzënë,
Duke tërhequr
trupin e tyre zvarrë
ndërsa shpirtin dhe zemrën,
këtu e kishin lënë,
në vendlindjen e tyre,
në fshatin Kular.

Eh, Shkumbin, Shkumbin ,!
ti gjithmon,
rrjedh si miliona vjet më parë,
dhe ashtu,
me zig-zaket që kishe,
i dhe emrin,
fshatit të vogël Kular,
por, se mbajte më,
se ti vetë,
një ditë e prishe.

Petro Sota 10 dhjetor 2021………..

About Post Author