Petro L. Sota.:Te stoli i vjetër


Petro L. Sota.

Një fllad të lehtë, ndjeja në faqet e mija,
Ndërsa vera e nxehtë, sapo kishte kaluar,
Tek stoli i vjetër, në një park po rrija,
Por gjethet vjeshta, si tapet kishte shtruar…

Po rrija tek parku, dhe po vështroja i qetë,
Ashtu si dikur, në takimin tonë të parë,
Vite kanë kaluar, por aty diçka ka mbet,
Tek ky stoli i vjetër, pranë një pishë e tharë….

Këputet një gjethe, më bije në kraharor,
Diçka m’u kujtua, që në shpirt ish strukur,
Gjethen e mora dhe po e mbaja në dorë,
Shpirtin e saj sikur mbaja, të këputur…

Por, lulishtari plak, në vetmi aty më gjeti,
Vërtet më njohu, se këtu dikur unë rrija,
Për vajzën me gërsheta, për çudi më pyeti,
Që mbante në flokë, një fjongo me vija…

Me sy të përmalluar, më vështronte ngadalë,
Ndërsa unë në mendime, atë vajzë kujtoja,
Por ai e kuptoi, që vërtetë unë kisha mall,
Për vajzën me fjongo, që dot s’po e harroja…

Ndërsa vitet ikin, por malli përherë mbetet,
Si gjethe që këputet, ngadalë bie në tokë,
Shkëmbin e çan malli, por, kurrë nuk tretet,
Ndërsa syri të thahet, për një pikë lot.

23 nëntor 2021…………..

About Post Author