Petro Sota-BALADË KURBETLIU


BALADË KURBETLIU
——————————–

O moj natë e mbarsur me shi,!
Si një shtrigane e përgjumur
O ti qiell, që i vrënjtur rri,!
tregomë rrugën, se kam humbur.

O ju re, që të heshtura rrini,!
Në qiell hënën e keni fshirë,
Dritë nga yjet, nuk po më lini,
Që të shoh, rrugën më mirë.

Nëpër male, si i arratisur,
vëndin tim e shtëpi kam lënë.
Nuk e di, që kur jam nisur,
nëpër errësirë, natë pa hënë.

Dhe mëngjezi, sa po vonon,
peng ka mbetur, ndoshta diku,
Kjo errësirë, po më pengon,
edhe shkëmbijtë, gjithashtu.

Nuk po e di, ç’rrugë të marr,
nuk po shoh asgjë më unë,
I vetmuar me shpresë të vrarë,
i brengosur dhe i pa gjumë.

Si ulkonjë, kjo natë me re,
kërcet dhëmbët, sikur ka uri
Nëna e shkretë, sonte s’po fle,
por dhe gruaja, zgjuar po rri.

Diku një qyqe po vajtonte,
përmbi male, retë janë shtrirë,
E kanë mbuluar qiellin sonte,
Por tek shtëpia, qan im bir.

Qan im bir, se s’më ka parë
se është i vogël, akoma s’flet,
E ndjen shpirti, im i vrarë,
Më kërkon dhe s’më ka gjet.

Më kërkon e s’më gjen dot,
Duke qarë:- babi, thërret,
Ndërsa gruas, i pikojnë lot,
Po ashtu dhe nënës shkretë.

Larg, mes maleve me dëborë,
Zvarrë tërhiqem, s’kam fuqi,
S’po e lëviz, më njërën dorë
Por dhe këmba, bllokuar rri.

Sikur qielli, mbi kokë më ra,
Që të lëviz, më forcë nuk gjej,
Po çahet nata, me krra, krra,
zëra korbash, afër po ndjej.

S’dua t’bëhem, për t’a ushqim,
S’do e le vdekjen, të më vij,
Që ta shoh, unë birin tim,
do fluturoj, përmbi shkëmbinj.

Dhe në mbetsha, këtu vdekur,
borë e bardhë, do t’më mbuloj,
Në pranverë, s’do t’jem tretur,
Do të pushoj, këtu tek kroji.

O ju njerëz, kur të kaloni,!
këtu tek kroji, fytyrën të lani,
Një të vdekur, në se shikoni,
Pesë minuta, pak zi të mbani.

Kurbetli qe, si puna e juaj,
nëpër male, i vdekur mbeti,
S’gjendet e mira në dhe huaj,
Se s’ta jep, kurrë kurbeti,

Dhe ujit të krojit, një amanet,
për ju që shkoni, ja kam lënë,
Mos e lini, vëndin të shkretë,
mos lini vetëm, babë e nënë.

Se në kurbet, kur ju të rrini,
për ju malli, di i ketë përvëluar,
Gjethet pragun, kur të vini,
do ta kenë, ndoshta mbuluar.

Kështu t’i thoni edhe tim biri,
Që nuk e pashë duke u rrituar,
Aty, pranë portës, tek ulliri,
ndoshta është, duke më pritur,

Një fjalë gruas të m’i çoni,
por dhe nënës, që pret në prag,
Ndërsa djalit, do të m’i thoni,
që do kthehet, ka shkuar larg.

Petro Sota 27 tetor 2022

About Post Author