Petro Sota-Cikël poetik


Cikël poetik
——————-

NËNA
———–

Më kujtohet zëri i saj gjithmon,
Çdo mbrëmje me shtizat në dorë,
-Fli more bir, -më thoshte -u bë vonë,
Me fjalë të ëmbla, nëna e gjorë.

Unë libra lexoja, në divan i shtrirë,
Dhe radion Iliria ndezur e mbanim,
-Shko – më thoshte, fli more bir,
E zbehtë llampa, ndriçonte tavanin,

Bënte çorape, për të gjithë bashkë,
Me leshin e deles, të vetme që mbanim,
Por qëngjin, në çdo vit për Pashkë,
Kur e thernin, ne të gjithë qanim.

Ndërsa për të fjetur, e fundit shkonte,
Na shikonte të gjithëve, aty një nga një ,
Me duart që i dridheshin na mbulonte,
E dobët, e tretur, me të ëmblin zë.

STINËT.
————

Si zonjë vjen vjeshta, me fruta të mbara,
Dalëngadalë netët, fillojnë të ftohen,
Bien nga pemët, gjethet e para,
Por të parat puthje s’harrohet.

Kur vjen dimri i mërzitshëm, pa dyshim,
Ditët tkurren e si plakat zvoglohen,
Ndërsa netët zgjaten pambarim,
Si në pole, ngrijnë dhe ftohen.

Cicërimat e para, në pranverë dëgjohen,
Dalin bisqet e njoma nga toka e tharë,
E çuditërisht, disa gjëra harrohen,
Por kurrë, dashuria e parë.

E nxehtë si stina e verës, dashuria e parë,
Të mbetet në shpirt, rindizet si vullkan,
Pemët si gra, parfumin kanë marrë,
Aromë dashurie, stina shpërndan.

MALLI
————

Sa herë kur ndjej mall, rri i trishtuar,
Dhe për ty hedh në letër ndonjë varg,
Se më vjen si dallgë në një det të trazuar,
Prandaj të doja ty, të më vijë nga larg.

Se me ty në ëndërra, çdo natë unë rrija,
Duke vrapuar si erë, në krahë të rrëmbeja,
Se s’mund t’i ndaloja dot ndjenjat e mija
Se ishin si burim, që rridhnin tek rrëkeja,

Nuk e kuptoja, pse të doja kaq shumë,
Mos vallë kjo, do të ishte një çmenduri,
Një çmenduri, që po çmëndësha dhe unë,
Nga malli që më vinte si erë me shi.

About Post Author