Petro Sota :E dua këtë qytet


Petro Sota

E dua këtë qytet.
( poemë )

Sa e dua këtë qytet,
Që po rritet çdo orë
Krah hapur më pret,
Më merr në kraharor.

Kështu përherë ka qenë
I stolisur në çdo anë,
Vjen një mall më rrëmben,
Dhe më sjell aty pranë.

Buzë kodrës me rrush,
Dhe me ullinj përkarshi,
Mua shpirtin ma mbush,
Kjo e rrallë bukuri.

Është qyteti si përrallë,
Kur nga kodra e sheh,
Të vjenë vetë një mall,
Me bukurinë të deh,

S’do ndjeja kaq shumë,
Për tjetër vënd kështu,
Me Shkumbinin si lumë,
Dhe me detin gjithashtu.

Por në jugë si përherë,
Është këneta një hambar,
Për divjakasit si minierë,
Për peshkun në zgarë.

Pranë detit të qetë,
E buzë pyllit shekullor,
Pisha e madhe si ” Mbret “
Me banorët paqësor.

Me t’gjithë zogjtë aty,
I japin pyllit gjallëri,
Në çifte dy nga dy,
Këndojnë në simfoni.

E kjo natyrë e qetë,
Ëndërr për çdo piktor,
-Hajde ,-më thërret,
Të mbaj në kraharor.

Në kraharor më merr,
Se aty, dua të rri,
Kur gjumi të më zerë,
Më shtrëngo fort në gji.

Përherë zëri m’thërret,
Siç thërret birin nëna,
Tek pragu rri e pret,
Me të rri dhe hëna.

Në sytë e saj përherë,
Pikë e lotit seç pikon,
E le lotin që të bjerë,
Nëpër faqe si gjithmon.

Gjithë nënat ay rrinë
Duke pritur në qetësi,
Përse bijtë s’po vijnë,?
Se i pret çdo shtëpi.

Nga shpirti, fjalët dalin,
Nga nënat plot mall,
Gjithë zemrën ta falin.
Kur të puthin në ball.

Kanë ikur fëmijët larg,
Aty, pak kanë mbetur,
Të ulur në çdo prag,
Shamibardhat sypafjetur.

Me nuset djemtë shkuan,
Nipër e mbesat s’i shohin,
Dhe gjyshërit i harruan
Kur t’kthehen, më si njohin.

Dhe pragjet për të ikurit,
Psherëtijnë edhe qajnë,
Ndërsa rrugët duke pritur,
Më të heshtura ngjajnë.

S’është e lehtë t’i harroj,
Ç’do rrugë, e çdo kujtim,
Shumë zëra kur dëgjoj,
Dridhet lehtë shpirti im.

Shumë kohë larg mbeta,
E gjithçka ka ndryshuar,
Por vajzën me gërsheta,
Nuk kam për ta harruar.

Për vajzën me gërsheta,
Dhe me fjongon rozë
E kërkova, por s’e gjeta,
Sy kaltrën Mimozë.

Emërin, ia kishin vënë,
Sapo kish ardhë vjeshta,
Më e bukur si një hënë,
Flokë verdhë si gjineshtra.

Nuk kam për t’i harruar,
Ata njerëz që më s’janë,
Me ëngjëjt kanë shkuar,
Por gjurmët aty i lanë.

Kanë ikur vite shumë,
Që kanë shkuar të qetë,
Siç shkon dhe një lumë,
Pastaj derdhet në det.

Kur ikën, dhimbje lanë,
Të heshtur e në qetësi,
Këmbanat për ‘ta ranë,
Duke mbajtur pak zi.

Në kafe i shihja rrallë,
Me bastunet në dorë,
Ndrinin rrudhat në ballë,
Të qeshur dhe gazmor.

Dhe tregonin me pasion,
Jetën, me halle plot,
Që merrnin një pension,
Për ilaçe s’arrinte dot.

Eh, baballarët tanë,
Më shumë, ju meritonit,
Gjithë hallet tek ju ranë,
Por fëmijët i gëzonit.

Buzë kodrës tani janë,
Të rreshtuar, në radhë,
Me selvitë aty pranë,
Si një qytet i bardhë.

Plot lule dhe zambak,
Si lot vesa bulëzon,
Zbret hëna në Divjakë,
Një pikë loti e lëshon.

E bukur, vazhdon jeta,
Ç’do ditë e ndryshojnë,
Ashtu porsi bleta,
Edhe njerëzit punojnë.

E menjëherë e kupton,
Çfarë ndryshimi aty ka,
Nëpër qytet kur kalon,
Me sy shikon gjithçka.

Është ky vënd në myzeqe,
Por të rrish fare pak,
Më, s’do të ikësh që atje,
Se është perlë kjo Divjakë.

28 shkurt 2022…..

About Post Author