Kohë e pamjaftueshme.
Me hap normal, gjithmonë kam ecur,
Në rrugë të vështira, por nuk u ndala,
Zëri në grykë, sikur m’kishte ngecur,
Prandaj, s’kishte fuqi, që të dilte fjala.
Koha kalonte, por çasti s’kishte ardhë,
Ndërsa ndryshimet, sollën diçka të re,
Momenti më zuri, në moshën e bardhë,
Që të dilte mirë fjala, e lehtë nuk qe.
Ashtu si avioni, që niset dhe s’të pret,
Prandaj, një orë përpara duhet shkuar,
Se koha fluturon me atë ritmin e vet,
Dhe nuk të ndalon, pse ti je i vonuar.
Mëngjeset me gjenin me buzë të thara,
Ndërsa mbrëmjet, më prisnin pak vonë,
Fëmijët rriteshin, sikur bimët në ara,
Të rrija pak me ‘ta, koha s’të mjafton.
Foletë e tyre, si zogjtë kanë ndërtuar,
Prandaj me ‘ta, më shumë dua të rri,
Se koha, si gjithmon s’më ka mjaftuar,
Të luaj dhe të qesh me nipërit e mi.
Se e di që një ditë, me vite i ngarkuar,
Pa i thënë të gjitha, do të iki pa kthim,
Fajtore kjo kohë, që s’më ka mjaftuar,
Që këtu, diçka të lija, me emrin tim.
Petro Sota
