Petro Sota :Nëntori


Petro Sota

Ky nëntori sot, kapotën se ç’ma veshi,

Dhe gushën vajzave me shall ia mbuloi,

Në kolltuqe gjyshet, bëjnë kapuçe leshi,

Për nipërit e mbesat me ngjyra si palloi.

Mëngjeset, si të lyera me pudër në faqe,

Si një grua në mbrëmje para se të flej,

Drurët të zhveshur, sikur s’gjejnë paqe,

Kur era e mbrëmjes i tund andej-këtej

Oxhaqet e shtëpive me tym të bardhë,

Po flasin me kode, me qiellin e nxirë,

Për dimrin e kërrusur, që sapo ka ardhë,

Por sivjetë ndoshta do të jetë i vështirë.

Dhe qielli po çuditej, nga një fjollë reje,

Ngjante, siç më thoshte, një shok dikur,

Jo si dragua, por si nëpërkë Dumreje,

Që të helmon, po ta prekësh në lëkurë.

Siç po duket kjo ditë, e trishtë ka arritur,

Kur shoh dhe qiellin, si me fantazma gri,

Por mesdita paska ardhur, se kisha pritur,

Në stomak po më troket, se paskam uri.

Po i le mendimet, shtigjet t’i gjejnë vetë,

Se vargun dot s’e gjeta, për ta shkruar,

Por muza më flet si një vajzë e vërtetë,

S’bëhet dot poezi, pa qenë i dashuruar.

1 nëntor 2021………………….

About Post Author