Petro Sota :Ngrica e janarit


Petro Sota

Ngrica e janarit

Kjo ngricë e janarit po më kujtonte
Një kohë të shkuar, e të largët pak,
Mbi çatitë e shtëpive, qiellin shponte,
Tymi i bardhë që dilte mbi oxhak.

E pranë vatrës së ndezur me flakë,
Aty zjarri më ftonte si një zot shtëpie,
-Mirse na erdhët, këtu në Divjakë, !
Duke trokitur në dorë një gotë rakije.

Dhe s’doja të ngrihesha që të shkoja
E shihja atë zjarr, që më thoshte:- ndal,!
Por, mos më shani, se desha të shijoja,
Tavën e shijshme, nga çerepi me ngjalë.

Kur ndizet rakija, unë këngës ia marrë,
Sa lotojnë edhe xhamat e shtëpisë,
Shpërthen ky shpirti i trazuar Myzeqar,
Një ndjenjë e zjarrtë, gjoksin ma gris.

Eh, çfarë kënaqësie, kur si ujëvarë,
Rredhin valë-valë, notat e një kënge,
Oshëtin era e mbrëmjes nëpër ugarë,
Dhe troket, si një çupë në derën tënde.

28 janar 2022……………..