PËR DIKË TJETËR !
—————————-
Të pyeta i ndrojtur, kur me ty po bisedoja,
Çfarë ngjyrë kanë sytë e tu,?… e heshta,
-Ngjyrë kafe më the, – se unë s’po i dalloja,
Nga një trishtim, që të kish lënë vjeshta.
Që i ke sytë e bukur, unë të kisha thënë,
Edhe për buzën, desha të thosha diçka,
Por një fjalë tjetër, mendova unë mbrëmë,
Por ti e kuptove, dhe nga qerpiku, loti të ra.
Nuk të fola më, por as ti nuk po më flisje,
Duke parë unë sytë e tu, nuk kisha gabuar,
Se ti dikujt tjetër, me të vërtetë i përkisje,
Por, unë dhe këtë, duhet ta kisha kuptuar.
Duhet ta kisha kuptuar, por nuk qe faji im,
Edhe i syve të tu, ndoshta s’mund të jetë,
Dy sy kaq të bukur, me të ëmblin vështrim,
S’po më linin atë mbrëmje, mua të qetë.
Dhe ashtu që të dy, po rrinim të menduar,
Nën një qiell gri, ku pikat e shiut po binin,
Për buzën tënde, një varg e kisha shkruar,
-Që, me një puthje, ato akullin e shkrimin.
E ike nëpër shi, pa e shkoqur mendimin,
Duke më lënë mua, si një relike të vjetër,
Me dy tre pika shiu, që mbi qerpik të rrinin,
Ndoshta po mendoje, për atë, dikë tjetër.
Petro Sota
