Petro Sota:Eja e dashur !


Petro Sota

Me freskinë e nëntorit pak po mërzitem,
Shpirti më dridhet si një gjethe hardhije,
Këtu mbi një varg, po vuaj e përpëlitem,
S’më vjen këtë çast, një fjalë dashurie.

Dhe po kërkoj që shpirtin ta përmbaj,
Por, s’po mundem dot, kështu si jam,
Të kam pritur ty e dashur dhe prandaj,
Eja, se të dua, që të kem këtu pranë.

Se dimri i ftohtë do të vijë si përherë,
Ndërsa vetmia s’më ngrohë dot mua,
Prandaj, eja e dashur këtu menjëherë,
Se kur të vish, do e kuptosh, sa të dua.

Kur muzgu të bjerë e mbrëmja gjithashtu,
Errësira do mbulojë si shtrigë e pabesë,
Ndërsa unë mbi një varg, do të jem këtu,
Por ti eja se gjithë natën ty do të presë.

Me rrebeshin, që do të vijë dhe stuhia,
S’do të më trëmbi sikur tërmet të bjerë,
Por më shumë sonte, më tremb vetmia,
Që gjumin ma ka marrë e jam si i mjerë.

Të prisja të më vije, më shpejt tek unë,
E ngarkuar me fruta plot, sikur një pemë,
Ta derdhesh gjithë pasionin si një lumë,
Dhe një natë të tërë, të dy të mos flemë.

Dhe mos trokit në derë kur të më vish,
Por hyrë nga ajo porta, që vetëm ti e di,
Se e kam lënë për ty, të hapur sigurisht,
Dhe në ëndërr po të jem, aty hyrë dhe ti.

Petro Sota 19 nëntor 2021…..

About Post Author