Petro Sota:Historia e një gruaje


HISTORIA E NJË GRUAJE,
————————————-

Rrallë e shikoja, trotuarit kur kalonte,
Të veshur hijshëm, e shumë elegante,
Por shpirtit të saj, diçka i mungonte,
Diçka i mungonte, shpirtit që qante.

Njerzit e shihnin, si të ishte princeshë,
Asgjë më shumë, për këtë grua s’dinin,
As buzën s’ja shihnin, që t’i buzëqesh,
E as sytë e bukur, që mbanin trishtimin.

Trishtimin që kish, në shpirt e mbante,
Aty, në zemrën e saj, të mbushur plot,
Por, në ato sy të bukur edhe kur qante,
Ngjanin sikur të ishin, dy liqene me lot.

Njëherë në ditë, do të dilte nga shtëpia,
Për të blerë diçka, për nevojat e shtëpisë,
Për nënën e sëmurë, qe gjithë dashurija,
Por burri për të, qe e keqja e mblesërisë,

E mbante të mbyllur, e sillej si padron,
Një fjalë dashurie, kurrë si pati thënë,
Si një lule e bukur, ajo prapë lulëzon,
Edhe pse rrezet e diellit, ja kishin zënë.

Dashuria për të, një ëndërr kish mbetur,
E ndjente shpirti, që dridhej në ëndërrim,
Ishte si e virgjër, shumë vjet pa u prekur.
Se ai burrë, për më tepër, i sillte trishtim.

Ditët kalonin, në një monotoni të plotë,
Me nënën e sëmurë, që e mban pranë,
Në sytë e bukur, i shkëlqenin pika lot,
Me dhimbje në shpirt, jetën e saj qan.

Për nënën që me dhimbje e kish rritur,
Jetën, të gjithë asaj, po ja kushtonte,
Se në shpirtin e copëtuar e plasaritur,
Dilnin klithma trishtimi, dhe loti pikonte.

Për dëshirat e saj, që ishin të bllokuar,
Nuk mund ta kalonin derën e shtëpisë,
Si në një kështjellë mbyllur, e harruar,
Të fshehura rrinin ëndërrat e dashurisë,

Netët i priste, si të ishte në humbëtirë,
Ku e ndiqnin kudo, gjarpërinjtë me zile,
E strukur në krevat, i vinte të pështirë
Pranë një burri, që peshon njëqind kile.

Ngrihej në errësirë, hapte dritaren pak,
Se mbushte me ajër shpirtin e bllokuar,
Aty shihte hënën me gjithë yjet përqark,
Shihte dhe djalin që e kishte dashuruar.

E donte aq shumë sa veten e mohonte,
Aty, për gjithë jetën, ajo ishte e dënuar,
Vetëm, në fshehtësi për atë ëndërronte,
Pa bërë mëkatin, se qe grua e martuar.

Por dhe vdekjen, pa mëkate do e priste,
Sado që dashuria, nuk i shuhej kurrë,
Do ta pranonte, të shuhej dhe të vdiste,
Pa pranuar të shkonte me tjetër burrë.

Sa gra të tilla, ëndërrat u janë vrarë,
Dhe vrasësit, janë të tillë me autoritet,
Ëngjëll është ajo, ndez zjarre në acar,
Shkrihet e digjet në zjarrin që ndez vet.