Petro Sota:Koha dhe jeta


KOHA DHE JETA
————————-
Çdo gjë rrotull më pyet,
Djalë, ç’pret e s’dashuron,?
Ditët shkojnë, jeta shket,
Dashuro, se koha shkon.
Asdreni.

Në një kohë të turbullt, erdha në jetë,
Nëpër shtigje të pasigurta, do të kaloja,
Qe e vështirë ajo rrugë, në të përpjetë,
Por sigurisht, si të tjerët, do të udhëtoja.

Ashtu si të tjerët, do të ecja edhe unë,
Dhe kohën që më lindi, s’do e mallkoja,
Edhe pse ëndërrat, mbesnin në gjumë,
Unë prapë, çdo natë, do të ëndërroja.

Se vetëm ëndërrat, s’mi ndalonin dot,
Ndërsa fjala, në grykë më kishte mbetur,
Iknin mendimet, shtegtonin nëpër botë,
Se koha në udhëkryqe, më kishte gjetur.

Siç vjen mëngjezi, nga një natë e gjatë,
Sepse globi rrotullohet, ashtu si përherë,
Ndërsa dita largohet, se do vij prapë natë,
Rrotull vinte jeta, por prapë kishte vlerë.

Sëmundja për një vajzë, më kishte zënë.
Dhe vetëm me të, unë qesh dashuruar,
Takoheshim përherë, në netët me hënë,
Por edhe sot atë vajzë, se kam harruar.

E martuan larg, që të mos e shihja më,
Dhe unë mbeta, me zemër të copëtuar,
Çdo natë shihja hënën e mendoja për atë
Ndërsa jeta rridhte, prandaj duhej jetuar,

Kur lumi del nga shtrati, se vjen një stuhi,
Dhe merr përpara, ç’të gjej kur vërshon,
S’mundesh të shpëtosh, nga kjo fatkeqësi,
Në kohra të tilla, as mëshira s’të shpëton.

Por, a do të ndërtojmë ura, nëpër lumenj,?
Që brigjet t’i lidhim, ku mund të kalojmë,
Apo pasione të çmëndura, na rrëmbejnë,?
Pastaj njërit-tjetrin, dhe kohën e mallkojnë.

Brezat që do vijnë, këtë kohë do gjykojnë
Kur të zbulojnë si arkeologët, me urtësi,
Dhe aty zëra të gjymtuara, do të dëgjojnë,
Nga gërmimet e të përbindëshmes histori.

Ndërsa koha jetën, nëpër stacione e gjen,
Si një tren i ngarkuar, që me vete e merr,
Dhe vetëm njëherë, me këtë tren ajo vjen,
Prandaj jetoje, në ç’do breg ku të nxjerrë!