Petro Sota:Malli për ty


Malli për ty
———————-
( për një mike të paharruar )

Ti e di sigurisht, që për ty kam mall,
Se disa nga poezitë e mija, i ke lexuar,
Edhe pse, të kam përmëndur më rrallë,
Por ty asnjëherë, nuk të kam harruar.

Si një mulli, që s’ka asgjë për të bluar,
Ndërsa uji, zbret poshtë shkallë-shkallë,
Muza, s’po më vinte, më ishte larguar,
Ndërsa për ty, më vinte prapë ai mall.

Malli të rrëmben e jo çdo herë të ndodh,
Sikur je në oqean, me varkë në lundrim,
Kjo mungesa e jote, oh, sa po më lodh,
Sikur ndjek diellin, që ikën në perëndim,

Kur bije në pikëllim, të ndjejë më shumë,
E rri në dritare, klithmën e qyqes dëgjoj,
Si klithma e saj, me vjen të klith dhe unë,
Por zëri nuk më del, prandaj nis e lotoj.

Tingujt e një kitare, dëgjoj diku më larg,
Në mbrëmjen e vonë, kur qetësia të vret,
Mendohem që të shkruaj, për ty një varg,
Por muza s’më ka ardhur, rrugës ka mbet.

Dhe s’po gjeja dot, asnjë motiv të mbetur,
Mbase qe vonë, qerpikët po binin mbi sy,
Sepse gjumi, po më thërriste për të fjetur,
Ndërsa malli më mbante, të zgjuar për ty.

Petro Sota 

About Post Author