Petro Sota:Më hyn tek gjumi


Petro Sota

Më hyn tek gjumi

Ajo djepja e jote, që dikur të tundi,
Pse vallë s’u përmbys, të kish marrë lumi,
Të kish marrë lumi, mos të shihja më,
Se vërtetë na çmënde, pa gjumë po na lë.

Të shikoj përherë, sytë tek ty më mbetën,
Atë buzën tënde, mjaltë e ke të shkretën,
S’po të them asgjë, as për gushën jo,
Se ndoshta më thua, më poshtë mos vazhdo.

Se do t’ketë diçka, që poshtë fëshfërin,
Ndoshta është burim, që rrjedh në luginë,
Dhe përballë aty, si dy kodra ngritur,
Si dy pëllumba rrinë, nën këmishë ngjitur.

Më të bukur s’kish, si kopështi Edenit,
Por më shumë ti ngjaje, si mjelmë e liqenit,
Përmbi buzën tënde, buzën pak të vije,
Edhe helm të ishte, prapë do ta pije.

Në kët’ jetë mortore, kush vallë nuk u shua
E ëmbël, do t’ish vdekja, mbi buzët e tua,
Prandaj s’u përmbys, djepja që të tundi,
Se më bëhesh ëndërr, e më hyn tek gjumi

7 shkurt 2022…