Petro Sota:Nuk vdesin poetët


NUK VDESIN POETËT
———————————-

Një poet shkroi, se kishte vdekur një poet,
Unë këtë se besova, se poetët nuk vdesin,
Një pikë loti për atë, nga syri më rrëshket,
Por pavdeksia e tij, në libra do të mbesin.

E ndjejmë mungesën e tij, vetëm fizikisht,
S’do ta shohim më në bar, kafe duke pirë,
Por ai do të jetë, ashtu mes nesh sigurisht,
Gjithmon i thjeshtë, me një shpirt të lirë.

Poetët, janë si vullkan, që ndezin zjarre,
Dhe s’mund t’i djegin, as rrufetë, kur bien,
Shpirti i tyre fluturon, trupin lenë në varre,
Në çdo shtëpi e bibliotekë,në libra i gjenë.

Ata janë lajmëtarët, të stuhisë kur vjenë,
Dhe qëndrojnë të fortë, kur dallga i godet,
Por stuhia merr përpara, aty çfarë gjenë,
Dhe të njëjtin fat, e ka edhe ndonjë poet.

Por klithmat e tyre, do mbeten në poezi,
Si klithma shqiponje, që qiellin gërvishin,
Tronditen themelet, i pa gjumë shteti rri,
Se imazhin e “lumturisë” poetët po prishin

Prandaj rrufeja i ka goditur pa mëshirë,
Nga goditja mbi ‘ta, dhe qielli do të çahej,
Ashtu si zgalemi në një kohë të vështirë,
Në shkëmbenj me thonj, poeti fort mbahej,

Mos thoni më se poetët, si të tjerët vdesin,!
Ata shkojnë në qiell, kur largohen që këtu,
Kthehen në dhimbje, e shpirtin se shesin,
Janë mall, që s’do të harrohet gjithashtu.

About Post Author