Petro Sota:Përherë i vonuar


PËRHERË I VONUAR
———————————

-Ti je dashuria ime, – një ditë të thashë,
S’më fole, kokën mënjanë po e ktheje,
Përgjigjen, as tek sytë e t’u, nuk e pashë,
Se dikush tjetër, ta kish thënë para meje.

E nuk të fola më, sepse mu duk e kotë,
Mbi supin tënd, një gjethe të kishte rënë,
Të pashë në faqe, po zbriste një pikë lot,
Ndoshta, pse fjalën, një tjetri kishe dhënë.

S’u habita pse gjethet, të gjitha kishin rënë,
Dhe si një tapet, parkun e kishin mbuluar,
Por, as edhe për ty, që fjalën kishje dhënë,
Por, për veten t’ime, që përherë isha i vonuar.

NJË NATË DIMRI
————————-

Kishja kohë, që në stacion, ty po të prisja,
Shihja autobuzët, që iknin e vinin me radhë,
Nga të ftohtit kisha ngrirë, sa s’po vdisja,
Duke pritur ty,por se di pse, s’kishje ardhë.

Po vinte vetëm nata, se ajo nuk vonon,
Por unë se dija, ç’të kish ngjarë ty vallë,
I vetëm, po rrija unë, aty tek një stacion,
Binin pikat e shiut, e më pikonin si mall.

Durimi më kish humbur, kishte ikur diku,
Kish ngecur dhe ora, nuk ecte për çudi,
S’po kishte as hënë, që të rrinte me m’u,
Ndersa ti nuk erdhe, por më le në vetmi.

Nuk e di si ta kuptoj, mosardhjen tënde,
Ti patjetër duhet t’i japësh një shpjegim,
Nëqoftëse ti, nuk më kishje në mëndje,
S’mund ta besoj, se ishte një mashtrim.

Se sa kam pritur, mbas mesnatës vonë,
Nga të ftohtit trupi, më ishte bërë kallkan,
Tek stadiumi ” Dinamo ” në një stacion,
Një natë të ftohtë dimri, aty në Tiranë.

NJË BOTË PA TË VRARË
————————————-

Mengadalë vjen nata, me errësirën pranë,
Mendimet më arratisen, si ujqit në errësirë,
Një dhimbje më pushton, shpirti s’po e mban,
Shoh netë të plagosura dhe hënën të shtrirë.

Më duken mëngjeset, sikur janë kryqëzuar,
E këto ditë të mjegullta, asgjë s’po më thonë,
S’po duket më qiell, se retë e kanë pushtuar,
Dhe trishtimi si rrebesh, pika, pika më pikon.

Nuk e ndal dot kohën, që t’i jap drejtim tjetër,
Mos të shihja më imazhe, me njerëz duke qarë,
Si besoj më profetët, si përralla me mbretër,
Vetëm kjo botë, mos të kishte më të vrarë.