Petro Sota:Poeti dhe poezia


Poeti dhe poezia

Të mburrim njëri tjetrin, nuk ka vlerë,
Ndonjë fjalë të mirë ndoshta mjafton,
Dhe fjalë ofenduese, kurrë asnjëherë,
Se dinjitetin e njeriut nuk e nderon,

Të vërtetën thuaj, të tjerët të besojnë,
Dhe jo fjalë të kota, kokrra dhe bathë,
S’po më ngjan normale, kur i etikojnë,
Si “poezi me vlerë” dhe “poet i madh”.

Dhe ndonjë pene të njohur, për çudi,
Këto lajthitje poetike, u kanë shkarë,
Duke mburrur mikun, që shkruan poezi,
Si mjeran, shet dinjitetin e tij në pazar.

Kjo kohë e trazuar çfarë s’po na tregon,
Që injoranti, të jep mënd si një profesor,
Fluturon gomari, thuaj edhe ti fluturon,
Se budallai ka arrën dhe gurin në dorë.

Por, a bëhesh poet, se shkruan poezi,?
Edhe libra të botosh s’është asgjë fare,
Se poeti është vërtetë, i thjeshtë si njeri,
Por ka magjinë, të ndez në shpirt zjarre.

Se ai ka forcën, që shpirtin ta rrëmbej,
Në netët e vona, nëpër ëndrra ta shëtis,
Edhe vetë diellin, si mjeshtër ta zbërthej,
Në qiellin e minuar, me vargjet e poezisë.

Të qeshin dhe të qaj, por jo ashtu kot,
Brengën e shpirtit me lexuesin ta ndaj,
Për një zog krahthyer, duhet të derdh lot,
Ashtu, si për jetimin, që s’ka bukë të haj.

Që të krijosh, duhet talent edhe dëshirë,
Por sado dëshirë të kesh, poezia s’të del,
Është si brumi në magje, po s’qe i arrirë,
Nuk bëhet dot bukë, por si kulaç të ngel.

Nuk jam mjeshtër, që të lëvroj poezinë,
Poet, as dëshira s’më bënë dot kurrsesi,
Minatorë janë poetët, gërmojnë thellësinë,
Edhe vargjet i kthejnë, në perla dhe flori.

Por vargjet e mija, sikur arratinë marrin,
Dhe nuk po arrij dot, t’i qëndis unë vet,
Muza më vjen, por se ndez dot zjarrin,
E prandaj s’jam i zoti, të shkruaj si poet.

Petro Sota 20 qershor 2022…..

About Post Author