“Piktori i sheshit Aristoteli në Selanik”-Anila Rezhda


“Piktori i sheshit Aristoteli në Selanik”

Selaniku, sheshi i tij i madh “Aristoteli” ka vite që ka një Njeri të sajin, heremetikisht të sajin, Benin tonë piktor.

Është përshëndetja e pashamangshme e përditshme e kujdo kalon në këtë shesh.

E lodhur, e shplodhur, e gëzuar, e mërzitur, do kaloj pranë Benit, do themi 1, 2, 1000 fjalë pa folur fare, vetëm me një shikim.

“E lodhur më dukesh Nila…”…shqip, zëri i jot, i shokut, mikut, i bashkëatdhetarit tënd.

Beni është aty për të gjithë.

Mijëra e mijëra qytetarë Selanikas e përshëndesin përditë me dashuri, respekt, adhurim, ndjesi, mahni…

Ai zgjon Selanikun me njgjyrat e pikturave të Tij dhe ndonëse qyteti ende dremit, nuk ka dëshirë për punët e ditës, Beni jonë i dhuron një Buzëqeshje Njgjyrash dhe…Selaniku gjen shkak të bukur të zgjohet sepse dikush e pikturon përditë sa miliarda jetë të Tij si njeri!!!

Është i njohur dhe i dashur nga të gjithë.

Kur e shoh të zhytur mes ngjyrave, të përhumbur te krijimi, ndonëse kam dëshirë të them dy fjalë me Të, fshihem pas kollonave të ndërtesave dhe iki.

Një shesh i madh që përfundon në det, hapësirë që kur fryn era të than, shesh që të pjek në Verë, shesh që të njom kur bije shi, sheshi i paradës së vëndasve dhe të huajve, ka tashmë sot një fiziognomi Artisti Shqiptar, Piktori, gjithmonë i kërrusur me borsalinë dhe syze…ka Benin tonë!

Është shkruar shumë për Të nga shtypi aq sa qesh kur i thua të të intervistoj.

I ka thënë të tëra thua?!

Unë besoj se *jo.

E sigurt që ka diçka të pathënë ose të pa pikturuar ende!

U njohëm në Tiranë kur më intervistoi në promovimin e librit tim “Prekja” në një nga sallat e Hotelit magjik “Mondial”.

E ruaja këtë fotografi me nostalgji dhe fanatizmin që kam diçka të veçantë nga Beni jonë.

Kush do guxonte të fillonte Artin udhëve të një shteti të huaj si emigrant?

Ndoshta punë *po, por Art?!

Dhe ja që Ai e filloi, i’a doli mbanë dhe sot është Piktori jonë i dashur, i qetë, miqësor, Artisti jonë.

Beni me Artin e zëmrës së Tij ka zbukuruar sot mijëra shtëpi, ambjente, institucione.

Zëri i Tij ruan nuancat karakteristike Korçare.

Gjithmonë aty të flasë me ty për më thjeshtat e jetës.

Sa herë jam ulur në një nga dy stolat e Tij, ja aty në shesh të madh, kemi folur e qeshur me shpirt, njerëzit na shohin, nuk kuptojnë gjuhën dhe Beni bashkë me bisedën vazhdon dhe ndrin dritaret me dritë-bojë e bardhë ( si herën e fundit që isha ulur aty me Të).

Qesh, më pyet si më duket…

Në ka Fiziognomi Emigranti që mund të përshkruhet aq bukur nga rezistenca në kohë, nga ecuria në rritje, nga zhvillimi pa pikë mbështetje, nga njeriu që sheshin e një qyteti e ktheu në Galeri Arti, ky është Beni jonë Piktor.

Është shëmbulli i njeriut që kapërcen kufirin e adheut dhe “pushton” me art një qytet të tërë.

Pa miq, telefonata, ndërhyrje…sa punë të ngatërruara këto për Benin tonë!!

Ndoshta jam nga të vonuarat që po shkruaj për Të.

Por rëndësi ka që edhe unë derdha me dashuri dy fjalë për Benin.

Hapi im në atë shesh jo gjithmonë ka qënë i gëzuar.

Ka qënë i rëndë nga lodhja, sëmundja, mërzia, ka qënë i veshur në të zeza, me fasho…

Dhe sapo Fiziognomia e Benit shfaqet gëzohesh sepse…do thuash origjinal një shqetësim tëndin në shqip, me Piktorin tënd.

I uroj të jetë përherë atje në shesh për të gjithë ne dhe Ne në veçanti!

Nuk mbarojnë kurrë ngjyrat e perëndimit për Benin tonë!

Piktori jonë i dashur që shoqëron ditët e jetës tonë është aty, ndaloni dhe takojeni ju që vini nga Shqipëria ose qytete të ndyshme të Greqisë.

Di shumë dhe gjithçka thënë nga ai do ta ruani gjatë në mëndje-përgjithmonë!!

Ai njeh hapa njerezish dhe njgjyrat e Diellit!!

Pak?!

Ndoshta gjithçka na duhej për të jetuar bukur në këtë jetë.

Të falenderoj Ben, Piktori im, që je përherë atje edhe për mua!

Sa herë që dua të them diçka në Shqip, tashmë e di udhën, drejt stolit afër ngjyrave, afër Benit…

Qofsh i bekuar, i uruar, plot shënet e gëzime!

Me shumë nostalgji për Ty, Nila…Ben i mrekullueshëm!! ❤️NilaR