Pirro Minella Millona-” Ahhh… dashuria e Nënokes time…k


..” Ahhh… dashuria e Nënokes time…kafshimi i gishtit…për të marrë dhëmbjen e gjilpërës të mbeskës së saj….!!!”

….Duke shfletuar fotot në albumet e familjes ndesha në këtë foto kaq kuptimplotë….
Lidhja e Nënokes time sidomos me çupën e vogël, Kristin ishte tej parametrave normalë. Të dyja rrinin bashkë, shpesh herë në dhomën e tyre, ashtu të shtrira në krevate, bisedat aq të bukura ndërmjet Nënokes dhe mbeskës së saj ishin të gjata dhe “qanin” hallet mes tyre. Nuk kishte diferencë moshe dhe mendimesh.
Por mbaj mënd, q ë çupa e vogël si çdo fëmijë, në ndryshimet e kohrave dhe temperaturave të stinëve u sëmur.
I digjte balli nga temperatura dhe Nënokja ime i ndronte pa pushim napat të lyera me uthull. E gdhinte Nënokja në kryet e saj.
Duke vazhduar temperatura u detyruam të marrim antibiotikë të shoqëruara me gjilpirat në tul.
Kishim mike Teta Shpresa Shanin dhe vinte na i bënte gjilpërat në shtëpi. Halli Kristi, nuk i duronte dot gjilpërat, strukej në gjoksin e Nënokes dhe vetëm Nënokja mund ta “bindte” për të bërë gjilpërën. Dhe ja në derë u duk e qeshur mikesha jonë Shpresa.
I kishim përgatitur gjilpërat, aget dhe shishet me ilaç.
Kristi nuk pranonte të shpohej. Koha po rridhte dhe atëherë Nënokja ndërhyri me atë dashurinë e gjyshes.
Ju afrua Kristit dhe i tha diçka në vesh.
Kristi u shtri në divanin e guzhinës, teta Shpresa bëri gati agen me shiringën të mbushur me antibiotik. Kur shikoj që Nenokja u ul në gjunjë tek koka e Kristit dhe i ledhatonte ballin dhe flokët e butë.
Aparatin fotografik e kisha mbi tavolinën e guzhinës.
Kur Teta Shpresa i fërkoi tulet e njoma me pambuk të lyer me alkol, Nenokja gishtin e dytë te dorës së majtë, sapo Kristi hapi gojën të bërtiste nga dhëmbjet e afron dhe sipas “marëveshjes” së fshehtë midis tyre e fut në gojën e vogël te Kristit dhe pranon ta kafshojë Kristi gishtin e saj.
Ngela pa fjalë, Nënokja mori përsipër dhimbjen e gjilpërës së Kristit. Moment rrëmbeva aparatin dhe e shkrepa.
Çudi çfarë dashurie u përcoll në ato momente. Gjyshja, mbesa dhe dhimbja… Nuk kisha fjalë.
As Teta Shpresa nuk foli, nuk i kishte ndodhur kurrë në jetën profesionale, që gjyshja të pranonte këtë dhëmbje për hatrin e mbesës.
Kur ja tregova foton Teta Shpresës u habit dhe vetëm shtoi:
-Prandaj Kristi nuk nxori zë, asnjë britmë fëminore. Nenokja juaj e thithi atë dhëmbje….
…U përlota dhe përsëri e vura me kujdes këtë foto në albumin e fotografive, në albumin e Kristit. Nuk më bindeshin duart……

Pirro Minella Millona

About Post Author