DEDIKUAR SHOQES TONË TË FËMIJËRISË NË GJIROKASTËR MERITA ELMAZI NË DY VJETORIN E PËRJETËSISË!!!
…..”Jetuar mes dy epokave, po Merita e vajzërisë mbete, yll i bukurisë, djep i mirësisë…!!!”
….Ulur për kafen diku ku paguaj internetin. I menduar, shijoj kafenë me vetminë time. Befas një zile celulari më ktheu në botën time reale.
Një zë, i dridhur, i mallëngjyer, me psherëtima.
-Pirro, na u shkëput Ylli i tetëvjeçares u ngjit lart në përjetësi, e bukura Merita Elmazi-mezi njoha zërin e shoqes time të hershme të fëmijërisë tonë të bukur,
Nuk i besova veshëve. Nuk ka mundësi, që ajo bukuri të mos ta shikonim më, ta takonim edhe për një kafe, të dëgjonim zërin e saj aq meliodioz, atë portretin e saj aq me sharm, aq të bukur, aq perfekt..
U përhumba në labirinthet e jetes tonë. Sytë vetvetiu u njomën, u përlotën.
U riktheva në lagjen tonë ” 18 Shtatori”, vitet 1970. Çdo ditë uleshim në një klasë me Meritën tonë të bukur. E qeshur sa më s’ka, e qetë, me një mirësjellje të lindur, e trashëguar në gen, përmetare “safi” trëndafili i bukur nga kopshti i këtij qyteti.
Një portret, që është skalitur në kujtesë. Si tani e kam para syve me përpasen e zezë dhe me jakën e bardhë. Flokët afërsisht ngjyrë kafe, me onde dhe çudi mbaj mënd, që i mbante të ndara nga e majta në të djathtë. Sa kujtime të ëmbëla.
Çdo tipar i saj ishte i skalitur me kujdes. Ajo fytyre ëngjëllore, me ato faqet, që i bëheshin brimë, kur qeshte me tërë shpirtin e saj të freskët dhe të dlirë. Ata sy. Këtu me lejoni sot ti them Meritës tonë se sytë e saj ishin të magjishëm. Sa ëmbëlsi rrezatonin dhe sa zjarr kishin aty ata sy. Askush nga ne nuk e përballonte dot vështrimin e syve të saaj. Ishin sy tepër gazmorë, por edhe aq të hijshëm.
Kur qeshnin sytë e saj, dije se kishte qeshur shpirti i saj i bukur. Nuk i pashë njëherë ata sy të trishtushëm. Të vegjel ishim adoloshentë por syte tanë mundoheshin të “vidhnin”, qoftë edhe për disa çaste magjinë e syve të saj.
Edhe nga fotografia e sotme, po ata sy atë më shprehin, mirësinë dhe një qortim :
-Pirro e more vesh që isha afer teje diku tek “21 Dhjetori ” dhe nuk erdhe të takoheshim edhe njëherë si dy shokë, si dy “zogj” të vegjël të çiltër, si dikur, kur cicëronim në oborrin e “Koto Hoxhit”
Ja ky qortim më vret shumë Merita e jonë!!
-Më fal, të lutem më fal, e bëra këtë gabim, mendova se do të të kishim më gjatë ketu, por ti u hodhe në krahët e përjetësisë.
Dhe për çudi më erdhi përgjigja e Merites tonë të bukur:
…..”Të kam falur Pirro, por më kujtoni Ti, Ludi,Thalja, Fatbardha, Anna, Tasha, Liljana, Eli, Katerina, Panoreja dhe sokaqet e Gjirokastrës.. Në çdo sebep trokiteni një gotë të vogël me shpirtin tim. Une do ju jap bekimin nga lart. Se aty më takon vendi mua…..”
Tiranë, më 3 Nëntor 2022.

