Pirro Minella Millona-…” Ekzistoj se të njoha Ty zemër…!!!”


Pirro Minella Millona

….” Ekzistoj se të njoha Ty zemër…!!!”

….Erdhe si një vegim i ëmbël atë dite, një shkëmbim, një komunikim, u desh të fillojme si dy “adoleshentë” në këtë moshë..
Por Ne ishim takuar shpesh në ëndërr në ato “udhët sekrete”, që kalonim të dy.
Sa herë të kam thënë:
-Të dua shpirt në çdo rrugë ku të ndeshja, kudo në hyrje të rrugës tënde, edhe kur dritën fikje vetëm atëherë Unë merrja rrugën e kthimit me shpirtin mbushur plot.
Sa herë jemi puthur në ëndërr, gushen, apo prekjet e duarve të mia që dridheshin përherë.
Zemra e shkretë përpëlitej dhe dilte nga kraharori nga dashuria.
Dhe trupat tane bashkoheshin në një trup të vetëm.
Shtrëngimi yt, aq i fortë, kishe frikë mos të ikja, më doje për jetë…
Dhe kur mbetem vetëm i flas heshtjes time, por heshtja kurrë nuk më është përgjigjur.
A thua edhe heshtja është lodhur me mua?
Atëherë rrëmbej lapsin dhe derdh në letrën e bardhë shpirtin tim, shkruaj për ëndrrat tona. Brënda vetes time mbaj një mall, një mall që kurrë nuk u shua.
Janë rrjeshtat që më vijnë për Ty …
Unike më shfaqesh në sytë e mi, me atë sharmin e bukur, që trupin tënd e mbulon, më e bukur, se një skulpturë e larë, e tëra me flori.
Unike që zemrën time ke pushtuar ashtu pa u ndjerë me flokët e shkurtëra, me supet zbuluar.
Këtë ditë fund shtatori erdhe edhe më e ëmbël se frutet e stinës së vjeshtës.
Buzëqeshja jote gjithë botën ndriçon, shpirti im të dashuron dhe pas sharmit tënd tretet, kush ka dashuruar e kupton mirë.
Më dhurove momente fantastike, të kam thënë, Ti për mua je qielli, toka, gjithësia që na rrethon.
Je burimi i freskët ku ka lindur dashuria.
Unë veten time ta kam falur Ty, përgjithmonë do të të dua me këtë zjarr!!
Më vjen mirë që ekzistoj, e kupton ekzistoj se të dua Ty!!.
Je Ti, ajo me qetësinë tënde, me syte e tu të ëmbël, me zërin tënd melodioz, që më jep forcë mua.
Për mua je shëjntore, që të adhuroj kaq shumë.
Ekzistoj vetëm për sytë e tua.
Të dua dhe ti hyre në shpirtin tim, Une ekzistoj vetëm për Ty!!.
Ekzistoj për atë puthjen e ëmbël, tërë afsh, që më përvëlon.
…..Po shpirt ekzistoj, se të njoha Ty, me ndjenjën tënde Une shpirtin e ngroha, pikërisht tek Ty, gjeta gjysmën time, që më la munguar prej shekujsh.
Faleminderit zemër, je burimi im i jetes …!!!

Pirro Minella Millona

About Post Author