Pirro Minella Millona:Kujtime nga Gjirokastra!!


Pirro Minella Millona

Kujtime nga Gjirokastra!!

….. “Ta puth pakëz “Zogëzën ” si dikur…. Ajo qeshi me gjithë shpirt… dhe Unë e putha “Zogëzën”, përsëri si dikur…!!!”

….E kishim lënë, me ardhjen në Tiranë, një ditë të bukur të takoheshim. E prita me mall, shoqen e vegjëlisë.
Edhe sot po aq e bukur si atëherë.
“Mos vallë ndroi portretin e tanishëm dhe veshi përsëri portretin e vegjëlisë tonë të përbashkët…??”.
Sa mall, sa përqafime, u puthëm përsëri në faqe.
Pas mbi një gjysëm shekulli, tërë kujtimet tona rrodhën, po aq të freskëta si atëherë.
Në një moment e pashë në sy dhe i thashë duke qeshur:
-Ma lejo ta puth pak përsëri atë “Zogëzën” si dikur, në atë moshë të njomë.
Qeshi aq fort, sa shumë klientë të rregullt të lokalit kthyen kokën dhe besoj menduan.
-Po “shkallon” mosha e tyre”.
Po miqtë e mi të rinj, ja që edhe mosha jonë ka të drejtë të “shkallojë” me raste…..
Ishim në fillore dhe një mbasdite u shfaqën në klasën tonë, ekipi shendetsor, për të na bërë vaksinën, në krah.
Une isha përgatitur nga Nënokja ime, që do të bëja “Zogëzën” në krah, e cila do të më shoqëronte tërë jetën time.
Një e nga një me rradhë ngriheshim, shkonim në katedrën e mësuesit, xhvishnin ata krahë të vegjël, të hollë dhe të njomë si të harabelit.
Mbylla sytë dhe një “cak”, më shpoi në krahun tim të majtë.
Me dhëmbi pak, por u bëra “trim”, se në krah te kisha Ty, mikesha ime, Ti, shoqja ime e bankës, që rrinim.
Më vinte zor, se duhej të tregohesha “burrë”.
Të erdhi rradha edhe Ty. Mbylle fort sytë dhe kafshove buzën sa e bëre gjak.
-Me shëndet- të tha infermerirja, ule mëngën dhe u ule përsëri në bangë me mua.
Ishte fund jave. Por Ti mungove dy ditët e para të fillimit të javës tjetër.
Vaksina të kishte dhënë efekt në rritjen e temperaturës. Mbaj mënd, kur erdhe në shkollë, u takuam dhe unë të pyeta:
-Si je tani.
-Më mire- u përgjigje.
Kur u ulëm në bangë dhe prisnim fillimin e oreë së mësimit, unë me zë të ulët të thashë:
-Të dhëmb “Zogëza” në krah?
-Po- u përgjigje – me zë të ulët.
Atëherë, unë të thashë më zë lutës:
-Ma lërë ta puth Unë, “Zogëzën” tënde të të ikë dhëmbja.
Nuk ma bëre fjalën dysh dhe përveshe krahun imcak, e përveshe deri tek shënja në të majtën tënde.
Une vura buzët e mia të njoma të putha dhe pastaj të thashë:
-Ta mora Unë dhëmbjen- dhe të pashë në syte e ty me sytë e pafajshëm, që i kisha.
Dhe ja sot përballë përsëri të them:
-Mikja ime ma lër ta puth përsëri “Zogëzën” e vogël në krahun e majtë.
…..Ti qeshe me të madhe dhe tamam si dikur, përveshe mëngën dhe zbulove krahun me shenjën e “Zogëzës”, që ishte zmadhuar, por ishte përsëri i bukur.
Unë u përkula dhe përsëri e putha, por e putha më gjatë, duke afruar vitet e kaluara, më shumë se gjysëm shekulli…..

About Post Author