Pirro Minella Millona”Kur humba Nënoken time, bota ka ndryshuar për mua nuk është më e njëjtë….!!!”


….”Kur humba Nënoken time, bota ka ndryshuar për mua nuk është më e njëjtë….!!!”

….Sa pak i dimë vlerat njerëzve më të dashur kur i kemi mes nesh. Por kur i kemi humbur vetëm atëherë ua dimë vlerat e vërteta.

Të humba Nënokja ime dhe askush nuk është aty si Ty, që të vazhdosh të kujdesesh për mua. .

Me atë pritjen tërë merak tek dera e jashtme kur vija nga shërbimet e gjata, Ti aty rrije me duart poshtë përpases së belit dhe vetëm më përqafoje, më merrje aromë tek qafa:

-Erdhe i miri i mamasë.

Të humba Nënokja ime dhe bota menjëherë ndryshoi rreth meje, nuk kisha më dritën e vogël që mbaje në shpirt kur më rrokje në qafë.

Të humba Nënokja ime dhe të nesërmen e nisjes për shërbimin e rradhës, ato teshat për dush nuk i gjeja atje tek vëndi, që vetëm Ti e dije ashtu të palosura me kujdes mbi lavatriçe.

Nuk gjeja as çajnikun të gurgullonte aroma e çajit të malit, as filxhanin, as sheqerin të hedhur në filxhan, se vetëm Ti Nënokja ime e dije sa të ëmbël e pija unë.

Të humba Nënokja ime dhe nuk ka kush të më përgjojë, se mos më përsëritet përsëri ajo kollë e thatë nga dhimbja e fytit.

Ato aspirinat të tretura në çaj nuk ka kush ti mp hedhë, as nxjerrja e shallit prej leshi të punuar nga dora jote do më mungojë.

Të humba Nënokja ime, vetëm ti e dije pse unë nervozohesha, vetëm ti më shikoje në dritë të syrit dhe më qetësoje shpirtin, askush nuk i ka këto veti të depërtojë në çdo kapilar të gjakut tim, në çdo qelizë të trurit tim.

Vetëm ti ma dije temperamentin tim të “keq” acarues, por edhe tepër njerëzor.

E di që i thoje Doles: “Mos ja verë re shejtanit është nevrik i praptë, por ka zemër të madhe dhe e ka “mërinë” vetëm pesë minuta”.

Të humba Nënokja ime dhe do më mungojë prania jote në krahun tim të majte në tavolinën e ngrënjes dhe askush nuk do e kuptojë atë shikim që më hidhje kur filloja të haja ushqimin, vetëm nga mënyra e të ngrënit e dije në se isha i nervozuar, apo haja me oreks.

Të humba Nënokja ime dhe e them me bindje se askush nuk do më dojë, ashtu si ti Nënoke, qe më doje më shumë se veten tënde dhe jam i sigurtë se vetëm Ti Nënokja ime di të më duash ashtu.

Të humba Nënokja ime dhe nuk i kam më ato çaste kur bisedonim vetëm me anë të syve për shqetesimet e familjes dhe të detyrës.

Në shumë momente nga më të paimagjinuara, se mund te ndodhnin ishte zëri yt qetësues:

“Pirro, kujdes, mos u rrëmbe”,

Ishe Ti, amortizatori i të gjitha shqetësimeve të mia”

…..Të kam humbur Nënokja ime dhe e ndjej shumë këtë sidomos tani në këtë moshë në këtë gjëndje shpirtërore, kur po na ikin edhe shumë shokë e miq të vërtetë po ngelemi pak, shumë pak njerëz të brezit tonë me vlerë….

About Post Author