Pisha dhe dafina-Bilbil Murataj


fabul

Në krah të një pishe

Një dafinë kish mbirë,

Dukej sikur gjërat

Shkonin bukur, mirë

Çdo ditë pisha rritej,

Si gjithë drutë e pyllit,

Thua ish vënë në garë

T’i afrohej yllit

Kurse dafina

Ishte në siklet,

Verdhej edhe thahej

Dhe s’bënte përpjetë

Se ç’hall kish dafina,

Unë e dija mirë,

Në pyllin e madh

Jeta është e lirë

Ke të drejtën tënde

Të mbish në çdo vënd,

Të rritesh, zhvillohesh

Sipas qejfit tënd

Doja që t’i mbaja

Të dyja në jetë,

Dhe pishën gjigande,

Dhe dafinën e shkretë

Ndaj mora dhe sharrën,

Por me mirëkuptim,

Ca degë i preva pishës

Pas mendimit tim

Njera çeli gjethet

Nga kënaqësia,

Tjetra buzët vari,

Dukej nga mërzia

Kaluan ca kohë,

Vete përsëri,

I gjej të gëzuara,

Gjithë harmoni

Të gjithë në këtë jetë

Duam që të rrojmë

Dhe pak njeri – tjetrit

Pak vend t’i lëshojmë

Kur jetojmë bashkë

Dhe në harmoni,

S’ka ç’na bën rrebeshi,

Tufan e stuhi …