Tani do hapet derë e myshkur,
S’na mbytën kot gulçet e mallit,
Kanati moçëm dhimbje ndryshkur,
Në qiell do klithi piskamë të mallit!
Tani do hapet e mbyllura portë,
Do çelet rruga me pishtarë,
Shqiptarët e mi nëpër botë,
Do kthehen me vrapin e parë.
Do vinë zogjtë braktisjes futur,
Në errësirën e lavdisë,
Zemrën me lot kush e ka mbushur,
Endrrës së vet do i jap sisë…
Do vijnë miq edhe armiq,
Të shohin në sy të vërtetën,
Veç matrapazë dhe të liq,
Do kyçin në një turp vetvetën.
Do hapet porta jonë bir,
Ka ardhur në Epir i Madhi,
S’do ketë shqiptarë me zinxhir,
Për skllavërinë s’do i marrë malli!
Ka ardhur ora në Dodonë,
Vetëm për fjalë shqiptarie,
Mesdheu dhimbjesh po gjëmon,
Plagë të plakura Ilirie!
Dhe në Finiq do kthehet mbreti,
Do shtrojë gosti shqiponja e artë,
Me këngë e valle prej vërteti,
Do dehet dita deri në Artë…
