Plugu dhe parmenda-Bilbil Murataj


PLUGU DHE PARMENDA

I thotë plugut parmënda:

“Me avash, se t’u rrit mëndja,

Bëre shumë përparime,

Por prapë erdhi koha ime,

Jo me qe, si më parë,

Po me kuaj e gomarë” …

2.

Zihet plugu me parmëndë,

Kush të shesë më shumë mënd,

Vlera jote e vlera ime,

Në ugare e në plugime

Që ta dish, i thotë parmënda,

E para jam unë nga mëndja,

Mburrej njeri e mburrej tjetra

Se kush ishte më e vjetra

Debati vazhdoi gjatë,

Në mes tyre hyn një spatë:

Rrini urtë e mos u zini,

Një sua e një gjak jini

Në këtë sherr e shamatë

Ndërhyn dhe kazma bishtgjatë:

Edhe sot, edhe njëherë,

Që të dyja kini vlerë

Dhe, që të mbyllet kjo punë,

Më e vjetra nga ju jam unë,

Unë fillova punë e para,

Të bëj ledhe edhe ara

Që të zgjidhej ky debat,

Njeriu i vë kapak:

Që të gjithave unë ju dua,

Se ju më shërbeni mua

Mos u zini, mbas kësaj,

Më shërbeni dhe ju mbaj,

Vlera juaj nuk humbet,

As këtu, as në atë jetë.