Po çelin lulet e reja-Fatmir R Gjata


Fatmir R Gjata

Po çelin lulet e reja mbi bisqe të imtë e të qarë
Vrapoj nëpër fushën e rreshkur të zgjedh atë lulen e parë
Ta vë mbi jastëkun e butë kur fle me flokë të shpërndarë.

Po çelin lulet e reja po pse se bëj dot një buqetë
Të vij e të shoh nëpër ëndrra dhe të iki me hapin e lehtë
Të ndiej në gjak të shpeshtuar, të marr pak frymën e nxehtë.

Po çelin lulet në kodër mes pemësh e shkurresh të thatë
Një lule ja vodha korijes, ta vë nëpër flokët e gjatë
Kur dielli të shkrihet në det, të erret e tërë në mesnatë.

Po çelin ca lule mes malesh në mjegull mes borës së shkrirë
Kërkoj me dorë të dridhur, kërkoj me buzë të nxirë
Për ty do të zgjedh një të bukur, për ty vetëm lulen e mirë.

Se mbijnë vetvetiu çdo stinë, lëshojnë aromë edhe ngjyrë
Ti sjell e të puth pak në faqe, të puth pak në buzën e fryrë
Në gushën me erë manushaqe, në faqe, në ballë e fytyrë.